Fillimi i vitit të ri shkollor në vjeshtë është gjithashtu një fillim i ri pas pushimeve të verës veçanërisht për  Grupin e vullnetarëve (VOLIF) të Fondacionit Ivanaj, Ashtu si nëpër shkolla apo universitete, edhe ambientet tona marrin jetë duke gëluar nga zhurmat e të rinjve të cilat kanë qenë pjesë e grupit tonë të vullnetarëve si edhe të rinj të tjerë të cilët zgjedhin Fondacionin tonë për të na u bashkuar në nisma apo iniciativa që ne ndërmarrim.  Ashtu si e kemi përmendur dhe më parë, duke përdorur aftësitë, entuziazmin dhe përkushtimin e tyre për të krijuar një ndikim pozitiv në komunitetin lokal, vullnetarët i shtojnë mbështetje të madhe shtyllës kurrizore të çdo organizate.

Kemi kënaqësinë të mirëpresim sërish vullnetarë të rinj këtë vit, veçanërisht pas takimit informues që realizuam disa javë më parë në një nga institucionet arsimore private.  Ky takim tërhoqi shumë studentë të cilët shfaqën etje për dije, informacion dhe kureshtjen e zakonshme që karakterizon rininë.

Takimi ynë mujor me VOLIF, me pjesëmarrje të rivitalizuar mori një pamje ndryshe kësaj radhe. Ndërsa ne i ri-prezantuam të rinjve misionin tonë, vlerat dhe projektet në vazhdim apo rolet ku ata mund të bëhen pjesë gjithashtu theksuam edhe përgjegjësinë, disiplinën dhe natyrën vullnetare të angazhimit të tyre.  Nga ana jonë, siç kemi bërë gjatë gjithë kohës, do të vazhdojmë t'u japim anëtarëve tanë të VOLIF, trajnime përkatëse dhe mbështetje të vazhdueshme në kryerjen e roleve përkatëse që ata zgjedhin.

Ne shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për të gjithë të rinjtë që morën pjesë në këtë takim dhe ftojmë ata që ende nuk janë bërë pjesë e VOLIF, por dëshirojnë të bashkohen zyrtarisht në radhët tona, të plotësojnë formularin e aplikimit këtu.