Duke qenë se fundi i vitit po afron me shpejtësi, jemi shumë të lumtur të prezantojmë projektin tonë bamirës më të dashur. Kur na pyesin shpesh për fillimin e kësaj nisme, ne përgjigjemi që asnjëherë nuk është herët për tu bashkuar në nisma të tilla.
Dëshira jonë ka qenë gjithnjë që në periudhën më të bukur të vitit të gëzojmë sado pak fëmijët dhe tu sjellim buzëqeshje me aq sa kemi mundësi. Ky vit përsëri do të jetë ndryshe nga çdo aktivitet që ne kemi organizuar dhe realizuar më parë. Këtë vit e kemi nisur duke zgjedhur një grup fëmijësh dhe të rinjsh ndryshe por pa dalë nga misioni ynë në fushën e edukimit.
Dëshira jonë e madhe këtë vit është që të dhurojmë lodra të veçanta në një nga shkollat që kujdeset për fëmijët të diagnostikuar me spektrin e autizmit. Duke e ditur nevojën që të rinjtë të prekur nga autizmi kanë për këto për lodra të veçanta stimulimi dhe përqendrimi, Fondacioni M&M Ivanaj këtë fundvit ka vendosur ta dedikojë më së shumti për ta.
Nisur nga suksesi që Holiday Gift Drive ka patur vitet e kaluara dhe mbështetjen nga të gjithë bashkëpunëtorët tanë të cilët gjejmë rastin ti falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen përsëri, me dashamirësi kërkojmë nga të gjithë ju, mbështetje edhe për këtë vit që ky projekt të dalë me sukses dhe të sjellim buzëqeshje te ata që kanë nevojë për ne, njëlloj si kemi bërë në të kaluarën.
Përzemërsisht ftojmë të gjithë ata që kanë dëshirë të bëhen pjesë e kësaj nisme duke dhuruar “këtu” ose duke mbledhur lodra të posaçme për këta fëmijë. Kontributi juaj sado i vogël qoftë ka një vlerë shumë të madhe për ta.