Na trego Shqipërinë që të bën krenar!

Secili prej nesh mbart një copëz të Shqipërisë brenda vetes. Ajo mund të jetë një vend ku jemi rritur, një histori e dëgjuar nga gjyshërit tanë, një aromë kuzhine që na kthen pas në kohë, një këngë, një zanat apo një traditë e përcjellë brez pas brezi. 

Këto kujtime të thjeshta, por të çmuara, janë pjesë e historisë sonë të përbashkët dhe tregojnë mënyrën se si trashëgimia vazhdon të jetojë ndër breza. “Trashëgimia Ime” është një nismë që fton çdo qytetar të ndajë rrëfimin e tij për Shqipërinë, një fotografi, një kujtim, një traditë, një histori familjare apo një vend që ka një kuptim të veçantë. 

Trashëgimia nuk jeton vetëm në monumente, muze apo libra. Ajo jeton te njerëzit: në duart që krijojnë, në historitë që tregohen, në zakonet që ruhen dhe në kujtimet që na lidhin me vendin tonë.  Përmes “Trashëgimisë Ime” synojmë të mbledhim zërat e njerëzve dhe të krijojmë një pasqyrë të Shqipërisë së përjetuar, atë Shqipëri që secili prej nesh e njeh, e çmon dhe dëshiron t’ua përcjellë brezave të ardhshëm. 

Ju ftojmë të bëheni pjesë e kësaj nisme: 

  • Cili është vendi në Shqipëri që ju bën krenar? 
  • Cila histori dëshironi të ruhet dhe të dëgjohet? 
  • Cila traditë, kujtim apo rrëfim familjar meriton të vazhdojë të jetojë? 

Në verën e vitit 2026 do të nisim një cikël prej 6 videosh, të cilat do të sjellin në fokus aspekte të ndryshme të kësaj nisme. Ju ftojmë të na ndiqni në rrjetet sociale. 

Na dërgoni historinë, fotografinë ose kujtimin tuaj dhe bëhuni pjesë e “Trashëgimia Ime”. 

Mund ta ndani përmes postimeve duke na taguar, përmes mesazheve private ose nëpërmjet kanaleve tona zyrtare të komunikimit: email, rrjete sociale ose WhatsApp. 

Tregoni Shqipërinë tuaj, sepse trashëgimia jeton kur kujtohet dhe ndahet. 

#theivanajfoundations #trashegimiaime #shqiperiaime