Trashëgimia kulturore dhe natyrore shqiptare në kuadrin e UNESCO-s është projekti i radhës i realizuar nga mësuesja Elmira Gjonaj dhe nxënësit e saj të Gjimnazit "Sami Frashëri", në kuadër të Çmimit “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit”.
Përmes stendave të përgatitura me kujdes, materialeve informuese dhe prezantimeve të nxënësve, u prezantuan pasuritë shqiptare të mbrojtura nga UNESCO, duke sjellë në vëmendje vlerat e jashtëzakonshme të identitetit, historisë, traditave dhe natyrës sonë. Aktiviteti shërbeu si një mundësi për të theksuar rëndësinë e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore shqiptare për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Të veshur me kostume popullore nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, nxënësit prezantuan me krenari secilën stendë, duke vënë në dukje traditat, zakonet dhe pasurinë e identitetit kulturor shqiptar. Veprimtaria u pasurua edhe me elementë të mikpritjes tradicionale shqiptare, të cilat kontribuan në krijimin e një atmosfere të ngrohtë dhe autentike, karakteristike për kulturën tonë.
Ky projekt është rezultat i një pune të gjatë dhe të përkushtuar të mësuese Elmira Gjonaj dhe nxënësve të saj. Stendat dhe materialet e përgatitura do të mbeten të ekspozuara në muret e gjimnazit si një pasuri e vyer edukative, që do t'u shërbejë brezave të ardhshëm të nxënësve për të njohur, vlerësuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore dhe natyrore shqiptare.















