Ndryshe nga rutina e përditshme në të njëjtin vend, me të njëjtët persona çdo ditë, fakultet, rrugë, lagje, oborre, papritur erdhi një “ofertë e re” për trajnimin në Banja Luka, ku në tematik të tij kishte “Smart Cities”. Ideja e të njohurit një vend tjetër, njerëz të rinj, kultura të ndryshme, lojëra të ndryshme dhe njohuri ndryshe më tërhoqi ta pranoja këtë mundësi.
Do e filloj rrëfimin tim që nga dita e parë, e cila ishte një ditë e lodhshme udhëtimi për të mbërritur ne destinacion, por shumë e vlefshme. Aty gjetëm ajër të pastër, një mikpritje bujare, një natyre ‘gjallëruese ‘, një ushqim të shijshëm dhe një akomodim të rehatshëm .
Të nisësh ditën herët dhe me shumë energji, është ajo çfarë pasojë për pjesën e mbetur të ditës. Një diell që ndriçonte jo vetëm nga qielli, por dhe nga ngrohtësia e njerëzve . Të dëgjuarit tjetrin kur flet për vendin e tij, për atë çfarë ai përfaqëson, për traditat, për kulturën, për punën që bën, është qetësuese. Banja Luka ishte vend interesant, të përfshinte atmosfera që bënin njerëzit të merrje pjesë fizikisht, por edhe me mëndje . Zhvilluam një prezantim dhe një njohje të përgjithshme rreth njërit tjetrit dhe kulturave tona. Muzeu ishte e ndërthurur mes antikës, historisë por në thelb ishin kultura dhe e bukura. Mënyra sesi flisnin për krijimin e vendit të tyre dhe gjurmët e mbetura dhe të mbrojtura ishte e admirueshme. Koha e lirë ishte kohë që mbushej lehtë sepse kishe çfarë të vizitoje, çfarë të shikoje, me kë të rrije, me kë të flisje, të shkëmbeje kultura dhe njohuri të ndryshme . Workshop-et ishin një pjesë e bukur, jo të tej zgjatura, tërheqëse, përfshirëse dhe të plota në atë çfarë përfaqësonin. Dita supozohej të mbyllej me errësirën e natës por për grupin ku unë isha pjesë ishte krejtësisht ndryshe sepse nuk mungonte muzika, lojërat dhe të qeshurat pa kufij. Në këtë event patëm mundësi të njiheshim dhe të krijonim miqësi shumë të mira me të rinj nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Ndjesia e të larguarit nga aty të lë në mëndje kujtimet dhe shpresën se do kthehesh përsëri, ta jetosh akoma më shumë me miqtë dhe shoqërinë që u krijua.
Organizatorët “Alliance of Students of the Faculty of Electrical Engineering in Banja Luka” kryen një punë fantastike në organizimin e këtij eventi. Jam shumë mirënjohëse për mundësinë që mu dha nga EESTEC LC Tirana dhe M&M Ivanaj Foundation Institut si pjesë e Grupit të Vullnetarëve.