“VOLIF” - Vullnetarët e Fondacionit Ivanaj

Që në hapjen e Fondacioneve Ivanaj në Nju Jork dhe në Tiranë, dekada më parë, patën mbështetjen e një shumëllojshmërie vullnetarësh me ekspertiza të ndryshme, nga të dy anët e Atlantikut.

Ndërkohë që punonim për të zgjeruar fushën e veprimtarinë tonë, duke ndjekur misionin e përbashkët të të dy fondacioneve, përforcuam konceptin se 'Vullnetarizmi' nuk ishte vetëm një element thelbësor në arritjet e qëllimeve tona, por një komponent kyç i jetës në çdo komunitet, të vogël apo të madh, kudo në botë, pasi ofron përfitime konkrete për të gjithë individët e përfshirë.

Menjëherë pasi hapëm përfundimisht selinë re në Tiranë në tetor 2017, planet tona për të krijuar një qendër zyrtare vullnetarësh të quajtur “VOLIF”, u bënë realitet, duke u shndërruar në një grup të organizuar, të menaxhuar dhe të trajnuar nga stafi ynë, i cili vazhdon të zgjerohet me ritëm të shpejt.

Individët që janë pjesë e grupit janë të ndryshëm, nga adoleshentë e deri tek moshat më të rritura, pa harruar edhe disa të moshuar dhe profesionistë në pension, me të cilët kemi kontaktuar edhe në të kaluarën. Kryesisht studentët janë fokusi ynë kryesor, të cilët kanë fatin të mësojnë aftësi të reja, dhe pasi përmbushin 18 orët e kërkuara të shërbimit vullnetar, marrin përfitime të ndryshme si letra reference të cilat i hapin dyert për punësim dhe shkollim, pa harruar edhe lehtësimin e çmuar që i ofrohet duke i ndihmuar të zbatojnë projekt-idetë dhe idetë sipërmarrëse të tyre, sipas procedurave të Inkubatorit të Biznesit, që ne e kemi quajtur BIIH (Business Incubation/Innovation Hub).

Për më tepër, nga grupi ynë VOLIF mund të përfitojnë edhe OJQ të tjera, institucione dhe agjenci publike, të cilat mund t’i caktojnë detyra specifike afatshkurtra ose të përkohshme, ose të përfitojnë nga asistenca e vullnetarëve tanë në rast se nuk kanë mundësinë për të punësuar staf shtesë.

Citimi i mëposhtëm vjen nga një muze për fëmijë në SHBA, i cili ndodhet në Atlanta, Gjeorgji, dhe përfaqëson mrekullisht atë që përfaqëson shkronja V në fjalën Vullnetar:

Vibrant (Kumbues)

Vociferous (kërkues)

Vigilant (Vigjilent)

Vocal (elokuent)

Vigorous (i fuqishëm)

Versatile (I zhdërvjellët)

Valuable (I vlefshëm)

Vim (I zellshëm)

Virtuous (Fisnik)

Vivacious (entuziast)

Vailant (I guximshëm)

Vital (energjik)

Grupi ynë VOLIF është shndërruar në një qendër të vërtetë aktivitetesh, të organizuar dhe të trajnuar për të shërbyer në veprimtari të ndryshme. Vullnetarët kanë në dispozicion grupet e tyre nëpërmjet platformave sociale (si p.sh: grupi në Facebook, Instagram dhe LinkedIn). Ata zhvillojnë takime të rregullta për të planifikuar çdo gjë duke përfshirë edhe aktivitete rekreative dhe socializuese, duke bërë që njohuritë dhe energjia e tyre të bashkohen në një forcë ndihmëse pozitive.