Ashtu si e kemi përmendur shpesh, vullnetarët e Fondacionit Ivanaj luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ecurinë e projekteve tona dhe punës sonë të përditshme. Grupi ynë (VOLIF) është një grup energjik dhe unik të rinjsh dhe është një nga krenaritë e Fondacionit tonë. Jemi të lumtur që janë gjithnjë aty për çdo nevojë që kemi ne apo bashkëpunëtorët tanë, si edhe për të festuar së bashku gëzime të ndryshme. Janë gjërat e vogla në jetë që i bëjnë njerëzit të mëdhenj dhe ata janë ashtu: të mëdhenj.

Grupi ynë me kalimin e kohës po ndryshon pasi një pjesë e vullnetarëve tanë, të rinj shumë të dashur dhe të talentuar kanë vendosur që të vijojnë arsimimin e tyre jashtë Shqipërie nëpër kontinente të ndryshme duke u nisur nga Europa, Amerika e Veriut dhe e Jugut apo Azi. Jemi shumë mirënjohës për kontributin që ata na kanë dhënë dhe të lumtur që rekomandimet nga ana jonë janë një pjesë e rëndësishme e dokumentacionit të tyre për aplikimet në kolegjet përkatëse.

Duke iu uruar suksese të mëtejshme pavarësisht se gjithnjë do të jenë pjesë e grupit tonë edhe online, ne mirëpresim gjithnjë të rinj të interesuar për tu bërë pjesë e vullnetarëve duke aplikuar këtu.

Ndërkohë që urojmë të keni një verë sa më të mbarë, le të kujtojmë edhe disa nga momentet më të bukura me VOLIF.