Ashtu si edhe e dini nga postimet tona të mëparshme në këtë faqe, Instituti i Fondacionit Ivanaj në Tiranë ka luajtur një rol mbështetës gjatë muajve të fundit në iniciativën e znj. Emira Selimi për të krijuar bibliotekën e parë shqipe në qytetin e Manastirit (tani njohur si Bitola), në të njëjtën ndërtesë ku u mbajt “Kongresi i Manastirit” në vitin 1908.

Organizimi për mbledhjen e një numri të madh botimesh u ndërmor dhe iu kushtua vëmendje e veçantë nga Fondacioni ynë dhe stafi i tij. Ky organizim u realizua me përfshirjen e bashkëpunëtorëve tanë, miqve të njohur dhe jo vetëm, që kishin dëgjuar për këtë nismë dhe në mbështetje të kësaj ideje patriotike që përputhej shumë me misionin tonë.

Ne kemi ndihmuar në mënyra të ndryshme që nga përpjekjet dhe logjistikën e mbledhjes së fondeve online për rindërtimin e bibliotekës në Manastir, ndërkohë që kemi shërbyer edhe si një nga pikat e grumbullimit për mbledhjen e librave nga e gjithë Shqipëria në Tiranë

Të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Manastir duhet ta ruajnë dhe të mos harrojnë kurrë gjuhën shqipe. Për të arritur qëllimin e këtij projekti, ne kemi krijuar një hapësirë të dedikuar në ambientet tona për ruajtjen e mijëra librave, shumë të lumtur për këtë rezultat, të cilët tani janë të disponueshëm për transferim në destinacionin e tyre.

Misioni i Fondacioneve M&M Ivanaj në Tiranë dhe New York ka qenë dhe do të jetë gjithmonë promovimi i edukimit dhe dijes tek të rinjtë brenda territorit të Shqipërisë dhe më gjerë dhe ne do të jemi gjithmonë mbështetës të nismave të tilla të denja dhe të veçanta.

Tani që rolit tonë në mbështetjen e këtij projekti po i vjen fundi, duam të shprehim mirënjohjen për të gjithë ata që ndihmuan në këtë përpjekje dhe të inkurajojmë suksese të mëtejshme të këtij lloji duke ftuar të gjithë ata që dëshirojnë të dhurojnë në çfarëdo mënyre duke klikuar në faqen tonë të internetit "Dhuro". Çdo kontribut që jepni ka vlerë për përmbushjen e objektivave dhe synimeve tona.