Çdo 1 qershor shumë shtete festojnë Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve duke i kujtuar botës nevojën e fëmijëve për mirëqenie dhe të drejta për t'u përballur me sfida të shumta në aspekte të ndryshme të jetës së tyre.

Fondacioni Ivanaj ka qenë mbështetës i kësaj nisme që nga hapja zyrtare e ambienteve të tij në Tiranë në vitin 2017 dhe për këtë qëllim realizon me sukses çdo vit aktivitetin “Gift Drive”. Ky vit nuk mund të ishte ndryshe.

Ne vendosëm të sjellim disa momente të gëzueshme për rreth 50 fëmijë që frekuentojnë Qendrën Komunitare Gonxhe Bojaxhi që përveç shërbimeve të tjera, promovon edukimin, rritjen dhe kujdesin e fëmijëve në nevojë, shumica e të cilëve i përkasin komunitetit Rom.

Përveç dhuratave, Fondacioni ynë u dhuroi atyre edhe një shfaqje me dy prej aktiviteteve më të dashura të ditëve të sotme: Robotikën dhe Artin. Bashkëpunëtorët tanë, “SmartKids Albania” dhe Creative Art and Crafts, argëtuan fëmijët në këtë qendër me një grup aktivitetesh të këndshme me robotë edukativë, shoqëruar me artin e të pikturuarit.

I jemi mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe kontribuuesve tanë që vazhdojnë të na mbështesin në synimet tona, të cilat siç e dini të gjithë tani, janë të natyrës arsimore dhe kulturore për të përfituar veçanërisht brezat e rinj shqiptarë.

Ne e mirëpresim bujarinë tuaj në çdo kohë të vitit dhe mund të dhuroni në disa mënyra në faqen tonë të web-it “Dhuroni”. Vetëm pak klikime në internet mund të jenë të dobishme në shumë mënyra! Na kujtoni dhe na ndiqni në vazhdimësi.