Më datë 1 Dhjetor 2022 njoftuam ndjekësit tanë për hapjen e Klubit të Librit Ivanaj në ambientet tona në Tiranë dhe tani kemi diçka tjetër për t'i shtuar.
Ndërkohë që klubi po lulëzon dhe po tërheq pjesëmarrës të rinj, një zgjerim i ri i natyrshëm në lidhje me librat erdhi kur dëgjuam për iniciativën më të fundit të një studenteje shqiptare, Emira Selimi, lindur dhe rritur në Shkup, për të ndërtuar bibliotekën e parë në gjuhën shqipe në Manastir (Maqedoni). Kjo veprimtari është planifikuar për 115-vjetorin e këtij viti të Kongresit të Manastirit që u mbajt në atë qytet në Nëntor 1908, ngjarje e cila njihet për standardizimin e Alfabetit të gjuhës shqipe.
I humbur mes trojeve që kanë mbetur jashtë vendit, ky qytet po humbet identitetin e tij shumë domethënës për shqiptarët kudo dhe gjuhën shqipe. Çdo ditë e më pak, shqiptarët e identifikojnë veten edhe më dobët në raport me gjuhën e tyre. Pas humbjes, djegies, vjedhjes dhe shkatërrimit të trashëgimisë materiale që nga viti 1913, harresës etnografike dhe asaj pjese të kulturës së pashkruar, si artizanati apo qëndistaria, edhe gjuha shqipe duket se rrezikon të zhduket dhe brezat e rinj shkruajnë gjithmonë dhe më pak në shqip.
Kështu, në harmoni të përsosur me misionin dhe synimet tona për të promovuar arsimin dhe dijen tek të rinjtë brenda territorit të Shqipërisë dhe më gjerë, Fondacionet Ivanaj të Nju Jorkut dhe Tiranës janë të lumtura dhe të gatshme të mbështesin nismën e Emira Selimit në vazhdim. Shumë shqiptarë tashmë po kontribuojnë me një, dy apo disa libra për ngritjen e kësaj biblioteke, ndërkohë që ne jemi duke ndihmuar në grumbullimin e tyre brenda ambienteve tona në Tiranë.
Faqja jonë “Dhuro” i ofron gjithmonë kujtdo dhe gjithë diasporës shqiptare një sërë alternativash për të bërë donacione me një klikim të thjeshtë online; megjithatë, për këtë projekt të veçantë të bibliotekës, ne, në bashkëpunim me partnerët tanë të Klubit të Librit, po promovojmë nëpërmjet platformës GoFundMe edhe një fushatë mbledhjeje fondesh online për rindërtimin e mjedisit të Muzeut të Manastirit, ku do të vendoset kjo Bibliotekë.
Ju lutemi të shpërndani thirrjen tonë për ndihmë tek të njohurit tuaj dhe të zgjidhni një nga mënyrat e vëna në dispozicion për të dhënë kontributin tuaj! Faleminderit!