Koha më e mrekullueshme dhe më festive e vitit është këtu dhe ne kemi nisur aktivitetin e parë të Klubit tonë të Librit Ivanaj, paralelisht me festat kombëtare.

Takimi u zhvillua të enjten e kaluar, kur anëtarët që kishin aplikuar në formularin tonë online, filluan të vijnë një nga një në këndin e ngrohtë dhe komod të bibliotekës së Fondacionit Ivanaj. Grupi përfshinte 15 pjesëmarrës, dy prej të cilëve ishin fëmijë të shoqëruar nga nëna e tyre. Pra, me fjalë të tjera, në klubin tonë janë të mirëpritur të gjitha grup-moshat që kanë një interes të përbashkët: leximin e librit.

Një prezantim i historisë së Fondacionit dhe projekteve në vazhdim u bë nga Klevis, koordinatori i klubit, pasuar me një prezantim nga bashkëpunëtorët tanë, Adritatik dhe Rrahim nga “Maniaket E Librit”, të cilët dhanë një pasqyrë të plotë të Klubit të Librit, përfshirë rregullat e përgjithshme, planifikimi dhe caktimi i takimit të radhës.

Mbledhja e radhës e klubit do të jetë ditën e enjte, më 8 Dhjetor, datë e zgjedhur qëllimisht, me votim demokratik, për nder të Ditës Kombëtare të të Rinjve. Libri që do të diskutohet herën tjetër do të jetë “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” nga Sami Frashëri.

Anëtarë të rinj janë gjithmonë të mirëpritur, ndaj mos humbisni kohë dhe regjistrohuni këtu.

Shihemi radhën tjetër!

Ndërkohë, me afrimin e Festave të Fundvitit, po afrojnë dhe eventet e donacioneve që janë duke u  organizuar, ndaj ju kujtojmë që mirëpresim kontributet financiare në çdo kohë. Ju lutem, klikoni këtu për të dhuruar. Shumë faleminderit!

Fotografi: Egzon Avdiaj