“Secila shtëpi është universitet, dhe secili prind është profesor” – Mahatma Gandi

Temat e trajnimit që kemi prekur deri më tani, sipas aktiviteteve të planifikuara për projektin "Gratë për fëmijët", janë të ndryshme dhe aktuale, ku problematika e fëmijëve të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të dhunës, fizike dhe/ose emocionale është prezente më shumë se kurrë.

Një fëmijë i abuzuar apo i neglizhuar është një individ i cili është dëmtuar apo kërcënuar, mendërisht apo fizikisht nga veprimet ose mungesa e veprimeve të personave përgjegjës për kujdesin ndaj tij. Çdo fazë e abuzimit të fëmijëve ka format, shenjat dhe tiparet e veta. Disa nga format e abuzimit ndaj fëmijëve janë: abuzimi fizik, emocional, seksual.

Djemtë dhe vajzat janë në rrezik të barabartë të abuzimit fizik dhe emocional, si dhe neglizhencës. Ndërsa fëmijët arrijnë adoleshencën, dhuna ndaj bashkëmoshatarëve, dhe keqtrajtimet e ndryshme, përhapen shumë.

Një formë tjetër e dhunës shumë e zakonshme në ditët e sotme është bullizmi nëpërmjet rrjeteve sociale.

Bullizmi është një term i përdorur për të përcaktuar forma të ndryshme të abuzimit psikologjik gjatë aktivitetit në internet të fëmijëve. Bulizmi në internet ndodh kur njerëzit përdorin internetin për të kërcënuar, ngacmuar ose poshtëruar dikë duke dërguar mesazhe, foto dhe video.

Dhuna ndaj fëmijëve mund të parandalohet. Psikologia jonë me përvojë, Znj. Ariola Panteqi, eksperte në këtë fushë u shpjegoi fëmijëve prezent në takim dhe ndau me nënat që morrën pjesë në trajnim disa këshilla të dobishme për të shmangur përvojat e pakëndshme që mund të ndodhin në një shoqëri të ndërlikuar dhe me mentalitet të vështirë, ku të diskutosh tematika të tilla konsiderohet ende si një tabu.

Për më shumë materiale edukative na ndiqni në rrjetet sociale, ku postojmë rregullisht blogje, artikuj si dhe informacione interesante rreth projekteve aktuale, dhe trajnimeve të ndryshme.

Ky projekt mbështetet nga kontributet financiare të mbledhura nga Gratë Shqiptaro-Amerikane në Washington DC, përmes Valbin's Center for International Programs (CIP) dhe zbatohet nga ‘The Ivanaj Foundations of New York and Tirana’.