Seanca e katërt e serisë R.I.N.I. u mbajt virtualisht, të shtunën e kaluar. Këtë herë, folësi ynë ishte ish oficeri i Forcave Detare Mbretërore, CPO David Bonner, tashmë edhe rezident në Shqipëri. Audienca, si zakonisht, përbëhej nga anëtarët tanë të Grupit të Vullnetarëve.


David foli për përvojën e tij në Marinën Mbretërore, kohën e tij në OKB si paqeruajtës, shërbimin e tij në Irlandë, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, etj., punën e tij në misionet e ndihmës ndaj katastrofave natyrore dhe në Forcën Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar. Gjithashtu, ai përmendi marrjen e 9 medaljeve, të cilat i janë dhënë nga vetë Nëna Mbretëreshë dhe Princi Charles. "Puna, disiplina dhe angazhimi do t'ju bëjnë të arrini qëllimet tuaja në jetë" - u tha ai të rinjve të pranishëm.


Puna e tij me kohë të plotë, që shpesh kërkonte qëndrim në detyrë më gjatë se 1 turn në ditë, nuk e ndaloi atë të ishte një vullnetar aktiv. David ka qenë vullnetar që prej 15 vitesh, për pjesën më të madhe të kohës për MVS (Shërbimi Vullnetar Detar). Ai shpjegoi se të japësh kohën si vullnetar për të mbështetur një kauzë për të cilën jeni të apasionuar, pasuron jetën tuaj dhe hap perspektiva të reja.

Vullnetarizmi kërkon angazhim dhe përgjegjësi. Davidi solli disa shembuj nga jeta reale të aktiviteteve të organizuara vetëm nga puna e vullnetarëve. Evente për mbledhjen e fondeve, panaire, ekspozita dhe shfaqje për fëmijë dhe të rritur ishin ndër aktivitetet e suksesshme që ai i ka kushtuar kohë dhe punë vullnetarisht. Përpjekja e vendosur në to dhe pasioni për kauzën do ta bëjnë çdo ndërmarrje të suksesshme. "Si në çdo gjë që ju bëni" - tha ai - "puna vullnetare ka nevojë për angazhim, përgjegjësi dhe përkushtim deri në fund".

Vullnetarët e rinj pyetën për kornizën ligjore për vullnetarizmin në Mbretërinë e Bashkuar dhe e krahasuan atë me atë në Shqipëri. "Puna vullnetare nuk është dhe nuk duhet të jetë e detyrueshme" - shpjegoi David - "Duhet të vijë e natyrshme për këdo që dëshiron të japë kontribut." Gjatë këtij takimi, të rinjtë e pranishëm patën mundësinë të ndajnë historitë e tyre personale për punën vullnetare dhe përfitimet që sjell. Të ranë dakord që vullnetarizmi jo vetëm që pasuron jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve përreth jush, por gjithashtu siguron aftësi profesionale dhe jep mundësi për tu punësuar.

Ndihma ndaj komunitetit tuaj është një mundësi që ju të rriteni si person dhe të kuptoni më mirë se si përshtateni në botën përreth jush. Fondacionet Ivanaj ofrojnë një gamë të gjerë të mundësive për vullnetarizëm, kështu që vizitoni Grupin tonë të Vullnetarëve dhe regjistrohuni.


[Më poshtë, disa imazhe të shkëputura nga prezantimi]