Të premten, më 18 korrik, patëm një seancë shumë interesante midis anëtarëve të Grupit të Vullnetarëve dhe Z. Faton Limani, anëtar i ekipit të IFCIF.
Takimi u përqëndrua në temën "Qëllimi në udhëheqje". Z. Limani sqaroi para publikut virtual se çfarë do të thotë "qëllim", cila është rëndësia e të paturit një qëllim dhe theksoi rëndësinë që të rinjtë të kenë një qëllim. Ai gjithashtu përshkroi përvojën e tij dhe udhëtimin e jetës duke shpjeguar vështirësitë, pengesat, zgjidhjet dhe rezultatet, të gjitha të lidhura me jetën e tij.
"Dështimi është një nga pengesat e shumta me të cilat do të përballeni në jetë" - tha ai - "por për sa kohë që dështimi nuk është fatal, atëherë nuk është i keq". Ky ishte një mesazh shumë i rëndësishëm, që audienca me moshë të re e vlerësoi dhe shprehu të jetë i dobishëm në përpjekjet e tyre në të ardhmen.
Të rinjtë shqiptarë kishin shumë pyetje, jo vetëm për “qëllimin” ose si ta gjejnë atë, por edhe për udhëheqjen. Folësi, me përvojën e tij të gjatë, iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe i orientoi të rinjtë se si të mund të ushtrojnë “udhëheqje” në jetën e tyre të përditshme.
Interesimi i të rinjve për serinë e takimeve R.I.N.I. mbetet i lartë. Ndoshta, përmes saj dhe aktiviteteve tona të tjera, ne jemi duke krijuar udhëheqësit shqiptarë të së nesërmes…
Kjo seri do të vazhdojë me folës dhe tema të tjera. Nëse doni të jeni pjesë e saj, regjistrohuni dhe bëhuni anëtar i Grupit tonë të Vullnetarëve. Ne mirëpresim çdo ditë anëtarë të rinj në ekipin tonë.