Është e rëndësishme të theksohet se gradualisht po hyjmë në zonën e gjelbër. Gjërat po kthehen në normalitet dhe mbase do të fillojë një fazë e re, më të mirë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për faktin se kjo situatë na mësoi shumë në aspektin social, ekonomik dhe politik. Por mbi të gjitha, mbi të qenit MIRËNJOHËS.

Bëni një listë ku numëroni bekimet tuaja. Merrni një kohë gjatë ditës për t'u ulur dhe për të shkruar për bekimet tuaja, duke reflektuar në atë çka kaluam ose për çfarë duhet të jemi mirënjohës. Kjo, ndihmon shumë në lidhje me ndjesitë që kemi përjetuar kur na ka ndodhur diçka e mirë ose jo aq e mirë. Njerëzit që besojne në fe mund të përdorin lutjen/faljen për të kultivuar mirënjohjen. Pra, duhet të themi faleminderit që jemi të sigurt dhe shëndoshë e mirë afër të dashurve tanë.

Unë me gjithë zemër besoj/uroj/ndjej se kjo gjëndje do të normalizohet shumë shpejt dhe jeta do të lulëzojë përsëri. Për momentin, shumë prej nesh janë rikthyer në punë, duke marrë nën kontroll situatën e lënë dy muaj më parë. Megjithatë, më e rëndësishmja është se, jemi të shëndetshëm! Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj asaj që besojmë, të përqafojmë familjet tona, duke u dhënë përqafime të ngrohta njerëzve që i duam dhe duke kultivuar veç mirësi.

Mirënjohja është si lule që buron nga shpirti. Lumturia nuk mund të privatizohet, të fitohet me sforco apo të konsumohet. Lumturia është përvoja shpirtërore e të jetuarit çdo minutë me dashuri, hir dhe mirënjohje. Le t'i bëjmë ditët tona më të mira dhe plot shpresë.

Një tjetër shkrim i sinqertë nga një prej vullnetarëve të Fondacionit tonë.