Fondacioni “M&M Ivanaj” organizoi një aktivitet të veçantë për të nderuar trashëgiminë dhe kontributin e familjes Ivanaj në kulturën, arsimin dhe historinë shqiptare ndër vite. Ky aktivitet mblodhi rreth 100 të ftuar, ndër ta miq, të afërm, bashkëpunëtorë, gazetarë, poetë dhe shkrimtarë, të cilët ndanë reflektime dhe kujtime mbi ndikimin e thellë që kjo familje ka lënë në shoqërinë shqiptare.
Figura e Mirash Ivanaj u theksua si një ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë sonë arsimore dhe kombëtare, një njeri i ditur, me vizion të gjerë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Si ministër i Arsimit në periudhën e viteve ’30, ai ishte autor i reformës më të thellë arsimore që ka njohur vendi, duke vendosur themelet e një sistemi modern, laik dhe gjithëpërfshirës. Mirash Ivanaj besonte se arsimimi ishte çelësi i emancipimit kombëtar, ndaj punoi me vendosmëri për të krijuar shkolla cilësore, për të përmirësuar kurrikulat dhe për të ngritur nivelin e mësimdhënies në çdo cep të Shqipërisë.



Në këtë përkujtim u përmend gjithashtu figura e Martin Ivanaj, vëllait të Mirashit, një tjetër personalitet i shquar i kombit shqiptar. Jurist, publicist dhe intelektual i formuar, Martin Ivanaj dha një kontribut të çmuar në ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar dhe në forcimin e ligjshmërisë publike. Ai përfaqësoi brezin e atyre intelektualëve që e panë dijen si mjet për emancipim dhe drejtësinë si themel të qytetarisë moderne.



Gjatë aktivitetit u prezantuan dokumente të rralla nga arkiva e pasur e Fondacionit Ivanaj, përfshirë një pjesë nga korrespondenca e mbajtur gjatë viteve të diktaturës midis Mirash Ivanaj dhe kunatës së tij znj. Giuseppina Pogliotti Ivanaj, që dëshmojnë forcën shpirtërore dhe intelektuale të një kohe të vështirë. Po ashtu, u sollën në vëmendje sakrificat e znj. Ivanaj pas largimit nga Shqipëria, ruajtja e Flamurit Kombëtar, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mbrojtur idealet e lirisë, dijes dhe identitetit kombëtar.



Ndërkohë, u vlerësua edhe trashëgimia e Drita Ivanaj, bijës së denjë të kësaj familjeje, e cila me vizionin, forcën shpirtërore dhe dashurinë e saj të pashtershme për kulturën dhe arsimin, i dha jetë një misioni që vijon ende sot. E rritur në frymën e dijes dhe ndershmërisë, Drita Ivanaj e ktheu kujtimin dhe veprën e familjes së saj në një model përkushtimi ndaj brezave të rinj. Me energjinë dhe përkushtimin e saj personal, ajo ngriti fondacionet që mbajnë emrin e familjes Ivanaj, duke i dhënë atyre një qëllim fisnik: të ruajnë kujtesën historike, të nxisin zhvillimin intelektual dhe të promovojnë vlerat njerëzore e kombëtare.



Atmosfera e ngrohtë dhe përfshirëse e eventit u shoqërua me rrëfime, recitime dhe diskutime, duke e kthyer këtë aktivitet në një udhëtim emocional përmes historisë dhe vlerave që familja Ivanaj i ka lënë si trashëgimi kombit shqiptar.




