Sot, Fondacioni Ivanaj shënon një moment të veçantë: 8-vjetorin e themelimit të tij. Tetë vite të mbushura me përkushtim ndaj edukimit, inovacionit dhe promovimit të kulturës shqiptare, duke ndjekur me krenari gjurmët e ndritura të familjes Ivanaj.
Ky përvjetor na sjell një ndjenjë të thellë reflektimi dhe mirënjohjeje, por edhe hijen e mungesës së themelueses sonë të dashur, Drita Ivanaj, e cila u nda nga jeta disa muaj më parë. Çdo gjë që Fondacioni përfaqëson sot është fryt i ëndrrës dhe përkushtimit të saj të palodhur. E frymëzuar nga trashëgimia intelektuale dhe patriotike e të atit, Prof. Martin Ivanaj, dhe xhaxhait, Dr. Mirash Ivanaj, Drita punoi me pasion për të ndërtuar një institucion modern që i shërben zhvillimit të Shqipërisë.
Ndërsa kthejmë kokën pas, ndjejmë krenari për rrugëtimin tonë dhe shpresë për të ardhmen. Nga krijimi i një qendre bashkëkohore me hapësira multifunksionale si pikë referimi për komunitetin, te ofrimi i programeve edukative, mbështetja për startup-e dhe profesionistë të rinj, e deri te organizimi i dhjetëra konferencave, seminareve dhe aktiviteteve kulturore që kanë pasuruar jetën intelektuale në Tiranë, të gjitha janë dëshmi e vizionit të Dritës që sot është realitet. Pavarësisht arritjeve, misioni ynë mbetet i pandryshuar: të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie shqiptare të arsimuar, të begatë dhe demokratike.
Ekipi i Fondacionit Ivanaj është plotësisht i përkushtuar për të vijuar punën e nisur, për të zgjeruar programet dhe për të arritur tek sa më shumë të rinj në mbarë vendin. Në këtë përvjetor, falënderojmë me zemër çdo partner, mbështetës dhe anëtar të komunitetit që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Ju ftojmë të na bashkoheni në misionin tonë në shërbim të një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë shqiptarët.