Në kuadër të aktiviteteve me karakter shoqëror dhe përpjekjeve për të nxitur aksesin në arsim dhe përkujdesje njerëzore, nga Fondacioni M. & M. Ivanaj, u zhvilluan dy nisma të rëndësishme që përfshijnë dhurimin e pajisjeve teknologjike për fëmijët dhe veshjeve për një qendër për të moshuar në Tiranë. Në bashkëpunim me Bashkinë e Vaut të Dejës, u dhuruan tableta, kompjutera dhe laptopë që do të shpërndahen tek fëmijët e familjeve me mundësi të kufizuara ekonomike.
Kjo nismë ka për qëllim të lehtësojë aksesin në teknologji dhe mësim digjital, duke u mundësuar fëmijëve të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të ndjekin më lehtë procesin arsimor.
Teknologjia është një mundësi që duhet t’i përkasë çdo fëmije, pavarësisht kushteve ekonomike. Kjo është arsyeja pse vendosëm të kontribuojmë në këtë drejtim. Pajisjet do të shpërndahen në bashkëpunim me përfaqësuesit lokalë dhe strukturat përgjegjëse për arsimin dhe mirëqenien e fëmijëve, për të siguruar që ato të arrijnë tek familjet që kanë më shumë nevojë.
Në të njëjtën periudhë u zhvillua edhe një tjetër nismë, që kishte në fokus dhurimin e veshjeve dhe artikujve personalë për rezidentët e Shtëpisë së Moshuarve në Tiranë.
Ky gjest modest synon të sjellë pak më shumë komoditet dhe kujdes për të moshuarit që jetojnë në këtë institucion, si një shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tyre ndër vite.
Të dyja këto iniciativa reflektojnë filozofinë tonë për të ndërthurur zhvillimin teknologjik me vlerat njerëzore, duke kontribuar në mënyrë të përgjegjshme në fusha që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve. Ato përfaqësojnë bindjen se teknologjia dhe kujdesi njerëzor mund të ecin paralelisht, duke ndërtuar një shoqëri më të ndjeshme dhe më të përgatitur për të ardhmen.