Pse po e japim këtë çmim?
Çmimi “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit” është një iniciativë e Fondacionit Mirash & Martin Ivanaj, e krijuar për të vendosur në qendër të vëmendjes publike rolin thelbësor që mësuesit kanë në cilësinë e arsimit dhe në formimin afatgjatë të shoqërisë shqiptare.
Ky çmim do të akordohet çdo vit më 7 mars, në përkujtim të Ditës së Mësuesit dhe Arsimit Shqip, si një moment institucional reflektimi mbi rëndësinë e mësimdhënies dhe përgjegjësinë që ajo mbart për të ardhmen e vendit.
Ne po e japim këtë çmim sepse besojmë se arsimi nuk ndërtohet vetëm përmes politikave, reformave apo dokumenteve strategjike, por përmes njerëzve që e mbajnë atë mbi supe çdo ditë në klasë. Mësuesi është hallka që lidh vizionin me realitetin dhe që e kthen arsimin nga koncepte në libra në përvojë konkrete për nxënësit që atyre t’iu vlejë gjithë jetës.
Qëllimi i këtij vlerësimi është të rikthejë mësuesin si figurë qendrore të diskutimit shoqëror, duke njohur jo vetëm rezultatet e dukshme, por edhe procesin e vazhdueshëm të përkushtimit profesional. Përmes këtij çmimi, Fondacioni synon të vlerësojë punën e heshtur, konsistencën ndër vite dhe ndikimin real që mësuesit kanë në zhvillimin intelektual, qytetar dhe etik të brezave të rinj.
Emri i çmimit lidhet ngushtë me trashëgiminë e Mirash Ivanajt, një nga figurat më të rëndësishme të historisë së arsimit shqiptar, i cili e konceptonte shkollën si institucion themelor të një shoqërie moderne. Kjo filozofi mbetet aktuale dhe frymëzuese edhe sot, veçanërisht në kontekstin e nevojës për cilësi dhe integritet profesional në arsim.
Çmimi “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit” nuk synon vetëm të shpërblejë një individ, por të kontribuojë në ndërtimin e një kulture mirënjohjeje dhe respekti për profesionin e mësuesit. Ai synon të frymëzojë mësuesit e përkushtuar, ata që sakrifikojnë dhe punojnë me zell. Çmimi synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi faktin se investimi në arsim fillon me investimin te njerëzit.
Në këtë mënyrë, Fondacioni Mirash & Martin Ivanaj investon jo vetëm në vlerësimin e individëve të dalluar, por në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit arsimor dhe në të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ky çmim përfaqëson një angazhim afatgjatë për të mbështetur arsimin si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit shoqëror dhe kulturor të vendit.