Janë 4644 propozime që plotësojnë kriteret, 815 emra unikë mësuesish, 126 shkolla publike të Tiranës të përfshira në 14 ditë. Këto janë shifrat që dëshmojnë jo vetëm suksesin e fazës së parë të aplikimeve për edicionin e parë të Çmimit “Mirash Ivanaj” - Mësuesi i Vitit, por mbi të gjitha besimin e jashtëzakonshëm që nxënësit, prindërit dhe komuniteti arsimor i Tiranës kanë treguar ndaj këtij vlerësimi. Çmimi “Mësuesi i Vitit” synon të kthehet në një traditë kombëtare, një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për ata që ndërtojnë të ardhmen çdo ditë në klasë.
Në vetëm dy javë, mijëra nxënës, prindër, kolegë dhe drejtues shkollash u bënë pjesë e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke propozuar mësues që kanë lënë gjurmë në jetën e tyre. 815 emra unikë nga 126 shkolla publike në kryeqytet, tregojnë qartë nevojën për të rikthyer në qendër të vëmendjes figurën e mësuesit si udhëheqës i dijes, formues karakteri dhe model qytetarie.
Ky çmim është konceptuar në përputhje me vizionin arsimor të Mirash Ivanaj, autor i Reformës Arsimore të vitit 1935, e cila vendosi themelet e arsimit bazë në Shqipëri. Ai besonte se cilësia e arsimit është themeli i një kombi të fortë dhe të emancipuar. Çmimi “Mësuesi i Vitit” është një vazhdimësi moderne e këtij vizioni: një iniciativë që vendos meritën mbi çdo konsideratë tjetër dhe që afirmon arsimin si investimin më të sigurt për të ardhmen.
Faza e propozimeve u zhvillua përmes një platforme të hapur online, duke garantuar akses të barabartë për të gjithë. Çdo propozim që plotësonte kriteret formale u regjistrua dhe u përfshi në proces. Faza e parë ishte një sukses përtej pritshmërive. Por ky është vetëm fillimi.
Në përputhje me standardet e transparencës, çdo hap i procesit do të komunikohet publikisht. Faza e votimit publik të mësuesve finalistë do të jetë në periudhën 16 – 20 shkurt 2026, ditët kur JU duhet të riktheheni në këtë faqe përsëri për të përzgjedhur tre vendet e para nga mësuesit finalist! Mos harroni, vota juaj është shprehja më e lartë e mirënjohjes për mësuesit tuaj!