Kur historia ndërthuret me teknologjinë dhe kreativitetin, lindin projekte si “Historia që Flet”. Me këtë projekt përjetuam një udhëtim të veçantë historik dhe kulturor të prezantuar nga nxënësit e Klubit të Historisë në shkollën "Petro Nini Luarasi", nën drejtimin e mësueses së tyre Vera Prendi.

Përmes një rrugëtimi kronologjik, nxënësit sollën historinë e Shqipërisë që nga fiset Ilire dhe Dardane, shteti i Epirit, Perandoria Osmane, krijimi i shtetit shqiptar, periudha e Mbretërisë Shqiptare nën udhëheqjen e Mbretit Zog I, periudha komuniste, vitet postkomuniste dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit europian.
Ata rikujtuan edhe njëherë forcën, sakrificat dhe dashurinë që shqiptarët kanë ruajtur ndër breza për vendin e tyre.

E gjithë kjo histori, e pasuruar me informacione të vlefshme për Shqipërinë, është paraqitur në mënyrën më kreative dhe bashkëkohore përmes një harte digjitale interaktive, e konceptuar si një udhërrëfyes për turistët dhe për këdo që dëshiron të njohë më mirë vendin tonë.
Me një klikim në secilin qark të hartës, vizitorët mund të zbulojnë informacione të detajuara mbi historinë e qyteteve, traditat, veçoritë kulturore, pikat turistike, kulinarinë, si edhe ngjarjet historike e kulturore që i karakterizojnë ato.

Një projekt që i bën të rinjtë jo vetëm të mësojnë historinë, por edhe ta prezantojnë Shqipërinë me krenari dhe kreativitet.