Mësuesi Kujtim Merzira së bashku me nxënësit e tij ka përgatitur një hapësirë muzeale ku paraqiten objekte, albume fotografish dhe sende personale të periudhës 1944–1990.
Në këtë muze historik pasqyrohen vitet e komunizmit, duke sjellë përmes dëshmive reale sakrificat, vuajtjet dhe sfidat me të cilat u përballën shqiptarët gjatë asaj kohe. Përmes këtij projekti, nxënësit janë njohur më nga afër me rëndësinë e lirisë, kujtesës historike dhe dinjitetit njerëzor, duke reflektuar mbi vlerat demokratike dhe nevojën që historia të mos harrohet.
Kjo nismë synon jo vetëm ruajtjen e memories historike, por edhe ndërgjegjësimin e brezit të ri për rëndësinë e të drejtave, humanizmit dhe përgjegjësisë qytetare.















