-- Një shkrim nga Klaudia Hoxha, antare e grupit tonë të vullnetarëve

Të gjithë e dimë se rutina mund të jetë e mërzitshme dhe ndonjëherë joproduktive. Për momentin, shumë shkolla dhe vende pune në mbarë botën, janë mbyllur për shkak të pandemisë aktuale dhe njerëzit përreth po përballen me karantinën. Për ta thënë me fjalë të tjera, ne po përjetojmë mungesën e atyre zakoneve tona të përditshme, duke u përshtatur, duke mësuar dhe punuar në distancë, duke kaluar më shumë kohë me familjen dhe duke sakrifikuar komfortin dhe komoditetet e mëparshme për një të mirë të përbashkët.

Njerëzit ndajnë opinione të ndryshme në lidhje me rutinën, nëse është e mërzitshme apo e domosdoshme! Personalisht, u bë një muaj tashmë që jam shkëputur nga puna, për shkak të situatës së virusit. Në ditët e para, ndihesha mirë ... nuk binte alarmi, nuk kisha orare strikte për të ndjekur, as nxitim për në zyrë pra aspak stres. Me pak fjalë, fantastike! Kështu që, pas një gjumi prej nëntë orësh, zgjohesha e fresket, plot jetë por pak e dembelosur. Akoma s‘kishte shkuar ora 12:00 paradite dhe ndihesha e mërzitur dhe e lodhur. Si pasojë, filloi të më mungojë e ashtuquajtura rutina ime e mërzitshme.

Duke filluar nga zgjimi herët dhe në kohë, konsumimin e mëngjesit për 10 minuta, pritja e autobusit për në punë dhe konsumi i  shumëpritur i kafes. Përveç kësaj, dreka e shijshme në zyrë, bisedat sporadike me kolegët, shkëmbimi i mendimeve për tema të ndryshme, pra socializimi. Eshtë e panevojshme të thuhet që gjërat që bëjmë rregullisht, janë njëqind herë më të rëndësishme sesa ato gjëra që i bëjmë më rrallë.

Së pari dhe më e rëndësishmja, rutina ndihmon në mbajtjen nën kontroll të shëndetit mendor, më bën të ngrihem nga shtrati herët dhe më jep ndjenjën të përkatësisë. Kam nevojë për një rutinë të përditshme për t'i bërë gjërat si duhet! Ndër të tjera, kursen kohë, rrit saktësinë, përpikmërinë, disiplinën. Për më tepër, ajo kontribuon në rritjen e vetëvlerësimit dhe gjithashtu vetëbesimit. Për të mos përmendur që pa rutinë, ne zhvillojmë një ndjenjë dembelizmi dhe në vend që të bëjmë gjëra, i anashkalojmë ato për një moment të mëvonshëm, gjë që automatikisht çon në mosbërjen fare të tyre!

Për ta përmbyllur, përfitimet/avantazhet e ndjekjes së një rutine të paracaktuar tejkalojnë të metat/disavantazhet. Prandaj, është thelbësore dhe më rëndësi që dita jonë të jetë e mirë organizuar, në mënyrë që të funksionojmë siç duhet!