Pandemia pati ndikim të madh në kohëzgjatjen dhe realizimin e këtij projekti, i cili pavarësisht se ishte planifikuar të zgjaste 8 muaj, ashtu siς mund të lexoni në faqen tonë web, u arrit të zhvillohej me sukses, ashtu si edhe projektet tjera të këtij viti sfidues. Ai mbeti në pritje për muaj të tërë, për shkak të situatës të jashtëzakonshme, dhe në muajin tetor lindi nevoja të bëhej rishikimi, ristrukturimi dhe natyrisht, modifikimet perkatëse të buxhetit për secilin aktivitet brenda limiteve të financimit.

Për të filluar zbatimin e tij, ςdo gjë u realizua në një kohë rekord, por kjo ndikoi në afatet kohore dhe disponueshmërinë e vendeve të zgjedhura, pjesëmarrësve dhe trajnerëve, duke marrë në konsideratë ςdo udhëzim dhe direktivë të institucioneve publike mbi situatën e pandemisë që ka përfshirë të gjithë rajonin. Kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme me përgjegjësi dhe vështirësi në realizimin e 3 aktiviteteve kryesore të trajnimit, të cilat, megjithatë u zhvilluan me sukses për 3 javë të njëpasnjëshme. Kjo u bë e mundur falë gjithë stafit të përfshirë i cili punoi me përgjegjshmëri, edhe gjatë pushimeve, dhe kushteve të pafavorshme të motit.

Prapaskenat e këtij projekti janë unike dhe ia vlejn të përmenden.

Çdo aktivitet përbëhej nga trajnime dy-ditore, gjatë 3 fundjavave me radhë (6 ditë gjithsej), të zhvilluara përmes seancave në platformën “Zoom”, nga partnerë dhe studentë nga Shqipëria, Kosova* dhe Maqedonia e Veriut të cilët u mblodhën virtualisht sikur të ishin të gjithë së bashku në të njëjtën klasë.

E para u zhvillua dhe moderua nga folës dhe ekspertë nga partnerët tanë në Berovë, Maqedonia e Veriut. Në fillim, si ςdo herë hasëm disa vështirësi, të shpjegueshme për faktin që kishim të bënim me nxënës nga tre vende te ndryshme të cilët duhej të komunikonin midis tyre vetëm nëpërmjet internetit. Megjithëse pati disa probleme teknike, të gjithë të rinjtë arritën të bashkëpunonin me njëri-tjetrin për mrekulli.

Gjatë fundjavës së dytë, trajnimi u drejtua nga kolegët tanë nga Peja, në Kosovë. Në këtë seancë studentët ishin mësuar me njëri-tjetrin, dhe kështu komunikimi vazhdoi normalisht, dhe të gjithë u aktivizuan akoma më mirë se hera e parë. Të shohësh studentë të rinj të entuziazmuar për tema të tilla si ekosistemi dhe biodiversiteti ishte aq e këndshme për t’u parë sa i bëri gjithë sprovat dhe përpjekjet tona të vlefshme.

Sesioni i tretë dhe i fundit i trajnimit u mbikqyr nga partnerët tanë nga fshati Pojan, Korçë. Tema kësaj here ishte rreth mbrojtjes së mjedisit në zonat ndërkufitare. Studentët u ndanë në grupe pune dhe ata u përfshinë në diskutime në lidhje me nismat kryesore dhe veprimet konkrete që mund të ndërmerren për të përmirësuar gjendjen e mjedisit në nivelin lokal, kombëtar dhe rajonal.

Në fund, pjesëmarrësit gjithashtu mësuan për strategjitë mjedisore dhe për 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të vendosura nga vendet e OKB-së që miratuan Agjendën 2030.

Aktivitetet e projektit tonë “The Peace Path” nuk kanë përfunduar ende dhe, natyrisht, së shpejti do të postojmë në lidhje me to. Për të përfunduar ciklin e takimeve, ne kemi vendosur  të mbjellim pemë në këto tre vende pritëse ku kemi kryer trajnimet, duke krijuar kështu një shteg, hallkë të një zinxhiri paqeje që do të mbetet prova e prekshme e këtij aktiviteti.

Falenderojmë  të gjithë partnerët tanë, ekspertët, të ftuarit specialë dhe stafin e përfshirë për angazhimin e tyre dhe punën e palodhur të treguar në këtë projekt, vecanërisht jemi mirënjohës ndaj RYCO-s që na besoi me një nismë kaq të bukur edukuese si kjo.

Ne i mirëpresim të gjithë ata që duan të bashkëpunojnë me ne dhe të ndjekin arritjet tona, ndërkohë do vazhdojm punën me projektin dhe me iniciativa të tjera të ngjashme. Për shumë detaje mund të vizitoni faqen tonë web këtu.

Projekti “The Peace Path” është mbështetur financiarisht nga Regional Youth Cooperation Office (RYCO) dhe zbatohet nga M & M Ivanaj Foundation Institut në partneritet me shkollën “Bardhyl Pojani” në Pojan, Korçë, Shqipëri, ‘Let’s do it Peja’ dhe shkollën “Odhise Paskali” në Pejë, Kosovë (*) dhe shkollën “Aco Ruskovski” në Berovo, Maqedonia e Veriut. 

(*)Ky përcaktim nuk paragjykon pozicionet mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS-së, të OKB-së dhe Opinionin e GJND-së mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.