Një ndër projektet për të cilat ne po punojmë prej kohësh u kthye tashmë në realitet. Fondacioni Ivanaj në New York dhe Tiranë bënë të mundur fillimin e asaj çfarë do të jetë një rutinë për ndjekësit tanë: serinë e takimeve të titulluar “R.I.N.I”. Rini do të thotë jo vetëm të qënët të rinj, por është akronim; ku “R” do të thotë risk, e re, risi, rini; “I” qëndron për imagjinatë, ide, idealizim, “N” do të thotë novacion, natyrë, nisje; dhe “I” qëndron për interesant, impuls, iluzion, identitet.
Shqiptarë nga diaspora, ekspertë të fushave të ndryshme me eksperiencë të gjatë, që prej disa dekadave jetojnë në SHBA dhe Kanada, sollën për të rinjtë shqiptarë prezantime nën temën “Kriza 2020 – nga perspektiva e mundësive dhe shpresës”. Siç edhe e kërkon “normaliteti i ri”, takimi u zhvillua përmes një platforme online. Ekspertët shqiptarë në diasporë trajtuan perspektiva të ndryshme, si për shembull lidershipi, përshtatja e jetës në epokën e internetit, ekonomia dhe financat globale, dija dhe të mësuarit si një proces që zgjat të gjithë jetën, si dhe perspektiva e sektorit farmaceutik.
Të rinjtë pjesëmarrës patën mundësi t’i drejtonin pyetje drejtpërdrejt të pranishmëve dhe të merrnin përgjigje. Eksperienca jetësore dhe profesionale e folësve është e gjatë. Kjo, bëri që edhe kurioziteti i të rinjve të ishte i lartë. Pyetjet variuan që nga ndarja e eksperiencave personale, në ekspertizën e tyre, e deri tek “trajnimi për jetën”. Ekspertët tanë ishin të lumtur të ndanin dijen dhe eksperiencën e tyre me të rinjtë në audiencë. Nga të dy anët, pati një interest ë madhe për të njohur njëri-tjetrin.
Pas një takimi frytdhënës, të dy grupet mirëpritën idenë e përsëritjes së eventeve të tilla. Në vazhdim, mundësia e pjesëmarrjes do tu jepet edhe një audience më të gjerë. Kjo falë edhe përfshirjes së grupit tonë të formuar rishtas të ekspertëve shqiptarë nga diaspora që janë duke bashkëpunuar në mënyrë të vendosur pro-bono për qëllimet kulturore dhe edukative të Fondacioneve Ivanaj të New York dhe Tiranës, të cilat do t'jua prezantojmë në një të ardhme shumë të afërt.
Prandaj, ne ju ftojmë të vazhdoni të ndiqni përmes postimeve tona në internet dhe duke marrë pjesë në ngjarjet tona të ardhshme online.