Projekti i realizuar nga mësuesja Edlira Saraçi dhe nxënësit e klasës III-D të Shkolla Edith Durham trajton një temë që na prek të gjithëve çdo ditë: ushqimin. “Ushqimi i shëndetshëm – zgjedhje të mira për një jetë të shëndetshme” është një kujtesë e bukur se edukimi për një stil jetese të shëndetshëm fillon që në moshë të vogël.

Në fazën e parë të projektit, të organizuar në klasë përmes një prezantimi dinjitoz, nxënësit u ndanë në grupe me detyra të ndryshme. Ata bashkëpunuan përmes lojërave, pyetjeve interaktive, prezantimeve dhe aktiviteteve praktike, të cilat i ndihmuan të kuptonin më mirë rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm në jetën e përditshme.

Në fazën e dytë, fëmijët vizituan një fermë, ku panë nga afër dhe morën informacion mbi procesin e prodhimit të perimeve: nga fara, përkujdesi dhe rritja e tyre, deri në momentin kur ato mbërrijnë në tavolinat tona. Gjatë vizitës, ata luajtën, gatuan dhe në fund shijuan një vakt të shëndetshëm të përgatitur me produkte organike të fermës.

Kjo eksperiencë e veçantë, së bashku me aktivitetet e zhvilluara gjatë gjithë projektit, u mundësoi nxënësve të fitojnë njohuri të vlefshme mbi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm dhe ndikimin që zgjedhjet ushqimore kanë në mirëqenien e tyre.

 Mënyrën se si do të ushqehen në vazhdim, ata do ta pasqyrojnë në ditarin e tyre ushqimor.