library pictures (1)Në vitet 1930 Martin dhe Mirash Ivanaj ndërtuan një bibliotekë private të çmuar në shtëpinë e tyre në Tiranë, pasi në Shqipërinë e asaj kohe nuk kishte institucione publike të këtij lloji.

Që kur ishin studentë dhe përgjatë disa vitesh, të dy vëllezërit grumbulluan dhe kataloguan me kujdes 16.600 libra, kryesisht të blera jashtë vendit dhe shtuan 20 dorëshkrime personale të tyre në një dhomë të madhe dhe të bukur, të ndërtuar për këtë qëllim brenda banesës së tyre që prej kur u ndërtua, gjatë viteve 1936-37, në pjesën më të re të qytetit, ende e njohur sot si “Tirana e Re” (New Tirana). Për fat të keq, për shkak të shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, Ivanaj-t nuk gëzuan për një kohë të gjatë komoditetin e shtëpisë së tyre të re dhe bibliotekën e çmuar. Familja u nda dhe u detyrua të linte gjithçka mbrapa kur gjithë pasuria e tyre u konfiskua.

Në vitin 1945, pas kthimit të tij nga mërgimi, Mirash Ivanaj, i cili kishte humbur vëllain e tij jashtë vendit, gjeti pjesë të përmbajtjes së bibliotekës origjinale, por edhe ajo që kishte mbetur humbi plotësisht pas arrestimit të tij për arsye politike në vitin 1947. Disa nga ato që mbetën u zhdukën për shkak të vjedhjeve dhe librat në fund u vendosën në Bibliotekën Publike Kombëtare në Tiranë, kur gjithçka në vend u bë pronë publike nga regjimi komunist në vitin 1950.

Disa nga dokumentet e familjes Ivanaj, fotografitë dhe flamuri i madh shqiptar që u shfaqën me krenari në shtëpinë Ivanaj në Tiranë, u ruajtën nga Znj. Giuseppina Ivanaj në vitin 1939, kur ajo u detyrua me vajzën e saj të vogël, Drita, të largohet nga vendbanimi i familjes, i cili u bë Selia e Përgjithshme e Ushtrisë Italiane që pushtoi Shqipërinë. Ato u mbajtën fillimisht në Itali dhe më pas u ruajtën në New York për më shumë se 70 vjet. Vetëm së fundmi, disa nga këto sende të familjes u dërguan në Institutin e Fondacionit në Tiranë, ashtu si dhe flamuri, i cili u ngrit përsëri përkohësisht në pronën Ivanaj në Tiranë, deri kur, më në fund rifitimi i pronës fizike u arrit nga Drita Ivanaj në vitin 2009, tani ruhet dhe shfaqet në mënyrë të përhershme në “Sallën Ivanaj” tek “Fondacionet Ivanaj të New York-ut dhe Tiranës”, të hapura zyrtarisht për publikun në tetor 2017.

Një numër i madh librash, dokumentash dhe letrash që Drita Ivanaj personalisht mblodhi gjatë jetës së saj në Shtetet e Bashkuara, u dërgua në Institutin e Fondacionit në Tiranë gjatë fazave të planifikimit të ndërtesës së re. Pjesa më e madhe e këtij koleksioni përbëhet nga botime të lidhura me menaxhimin e biznesit, kontabilitetin, informatikën, zhvillimin e sistemit dhe botime futuriste, si dhe një shumëllojshmëri seminaresh të regjistruara për tema të ngjashme, video mësimore, botime të lidhura me artin, si dhe një koleksion i madh regjistrimesh muzikore. Që prej atëherë, libra dhe materiale të tjera në 3 gjuhë (anglisht, italisht dhe shqip) janë dhe vazhdojnë të shtohen në koleksion në sajë të donacioneve të autorëve dhe banorëve vendas.

 

Ivanaj Library 2018

Në vendndodhjen moderne të Bibliotekës së re Ivanaj, gjithë këto materiale dhe koleksione kanë gjetur tashmë një ambient të sigurt dhe funksional për t’u shijuar nga vizitorët e interesuar të të gjitha moshave e mjediseve shoqërore dhe janë në dispozicion të të gjithë atyre që dëshirojnë të çojnë me tej edukimin e tyre, të kryejnë kërkime, krijojnë referenca, apo edhe të relaksohen me muzikë gjatë të mësuarit. Një kompjuter është gjithashtu në dispozicion për përdorim publik, së bashku me shërbimin Wi-Fi si dhe mobilje të rehatshme dhe një ambient të qetë të përshtatshëm për qëllime studimi.