Gjatë muajit të mrekullueshëm të majit, kur pranvera është në lulëzim të plotë, rizgjohen disa kujtime  të veçanta për mua. Midis tyre, së pari, është gjithmonë ditëlindja e babait tim, por ky vit përkon edhe me 100-vjetorin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ku Dr. Martin Ivanaj, shërbeu si kryetar i saj. Kjo ndodhi gjatë vegjëlisë sime, kur ai kulmoi në karrierën e tij profesionale si Jurist dhe Gjyqtar, nga të parët në vend me arsimim perëndimor.

Sot dëgjoj që një ekspozitë është hapur dhe paraqitur tek studentët për të kaluarën e lavdishme të këtij institucioni dhe pres me padurim çdo gjë tjetër që mund të ekspozohet ose festohet për këtë rast.

Dy vjet më parë, ishte njëqind-vjetori i diplomimit të babait tim në vitin 1921 në Universitetin e Romës (tani i quajtur "La Sapienza"). Teza e tij origjinale për ligjet e vjetra të fiseve të veriut shqiptar u botua atëherë dhe është e disponueshme në formë të shtypur dhe online, në tre gjuhë të ndryshme (italisht, shqip dhe anglisht) në një vëllim, siç përshkruhet edhe në faqen e dyqanit online këtu.

Mes numrit të madh të dokumenteve të familjes sime, që ndodhen ende në duart e mia, gjendet edhe një koleksion voluminoz i gjykimeve të tij, të nxjerra nga arkiva të ndryshme nga historiani i njohur, miku im shumë i ngushtë dhe i përjetshëm i familjes sime, Sherif Delvina i cili nuk është më mes nesh. Zbulimet e tij në arkiv erdhën si rezultat i kërkimit të tij për muaj të tërë midis dosjeve të vjetra ligjore dhe nisi thjesht si interes i tij për këtë fushë.

Pjesa më e madhe e asaj që kam ruajtur dhe mbajtur nga familja ime për qëllime historike është tani në ruajtjen dhe kujdesin e Institutit të Fondacionit M&M Ivanaj në Tiranë dhe janë në dispozicion për botim, veçanërisht për qëllime arsimore, siç parashikohet në misionin e organizatave tona. Nxitja për mbledhjen e fondeve duhet të përqendrohet drejt këtij grupi aktivitetesh të planifikuara, por dhurimet janë gjithmonë të mirëpritura në çdo kohë për realizimin e të gjitha projekteve tona.

Këto projekte i kemi zhvilluar dhe zbatuar me sukses tanimë prej vitesh, dhe kemi akoma më shumë  programe për qëllime arsimore, kulturore dhe bamirësie. Faleminderit që na mendoni dhe mbështesni!

Ju uroj të gjithëve një pranverë të gëzueshme!