Që prej përditësimit tonë të fundit rreth “Klubit të Librit Ivanaj”, një numër aktivitetesh janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen në bibliotekën tonë, ku mbajmë dy herë në muaj takimet e klubit dhe ku, deri tani, kemi diskutuar kryevepra si “Arku i Triumfit” nga Remark, “Ferma e Kafshëve” nga G. Orwell, “Demiani” nga H. Hesse, “Verbëri” nga J. Saramago, etj.

Për librin “Ferma e Kafshëve” patëm kënaqësinë të kishim të ftuar Z. Sokol Cunga, një përkthyes i jashtëzakonshëm; për librin “Verbëri” na u bashkua Znj. Arlinda Dudaj, botuesja energjike e shtëpisë botuese “Dudaj”.

Një takim mbresëlënës u mbajt gjatë diskutimit të tezës ligjore 100-vjeçare të Dr. Martin Ivanaj “Kodi i Lekë Dukagjinit”, me prezencën e nderuar të Prof. Dr. Nevila Nika, e cila ndau me ne detaje të rëndësishme nga ky punim i çmuar. Me këtë rast, për të interesuarit ndaj këtij botimi (me tekst në 3 gjuhë), ai mund të blihet nga rubrika e dyqanit online në faqen tonë të web-it.

Në takimin tonë të radhës ne do të diskutojmë “Mjeshtri dhe Margarita” dhe do të kemi të ftuar special Z. Agim Baçi, gazetar, novelist dhe autor i shumë botimeve dhe eseve.

Është kënaqësi e madhe të shpenzosh kohën duke diskutuar për libra, dhe ne ju inkurajojmë që të na bashkoheni për tu bërë edhe më shumë anëtarë. Deri tani biblioteka jonë ka mirëpritur më shumë se 30 anëtarë dhe jemi gjithmonë të lumtur të mirëpresim anëtarët e rinj që aplikojnë këtu.

Në lidhje me këtë temë dhe siç kemi përmendur edhe në një postim të mëparshëm, ne jemi duke ndihmuar gjithashtu me ndërtimin e Librarisë së Manastirit duke mbledhur libra në gjuhën shqipe. Ata do të vendosen në ambientet që do të ri-konstruktohen nëpërmjet ndihmës financiare për të cilën po ndihmojmë pjesërisht edhe ne nëpërmjet fushatës në GoFundMe, Facebook ose duke klikuar në cilëndo nga mundësitë e dhurimit në faqen “Dhuro” të website-it tonë.

Jemi të emocionuar për progresin e deritanishëm në këtë nismë krejtësisht me vullnet të lirë dhe jemi tejet mirënjohës për kontributet që marrim prej anëtarëve dhe dhuruesve tanë. Ne besojmë fort që klubi ynë i librit do të bëhet një burim mjaft me vlerë për komunitetin tonë dhe jemi të sigurt që do të na bashkohen edhe më shumë anëtarë në këtë rrugëtim edukues dhe me vlerë.