Pas iniciativës së Znj. Emira Selimi për grumbullimin e librave për krijimin e bibliotekës së parë shqipe në Manastir, me rastin e 115 vjetorit të kongresit historik të atij qyteti, jemi të kënaqur që numri i librave të dhuruar po rritet çdo ditë, që do të thotë se shqiptarët po tregojnë shumë interes për këtë kauzë të rëndësishme.

Fondacioni ynë, si një organizatë që mbështet arsimin dhe zhvillimin e brezave të rinj shqiptarë, e ka përqafuar këtë iniciativë, si një zgjerim i Klubit të Librit Ivanaj, siç është evidentuar tashmë në një nga postimet tona gjatë muajit të kaluar. Ne kemi ftuar bashkëpunëtorë, miq dhe vullnetarë mbështetës që të na bashkohen në këtë nismë duke dhuruar libra ose kontribute në vlera monetare përmes rrjeteve tona sociale ose alternativave të tjera, si zakonisht, duke klikuar faqen tonë të internetit “Dhuro”.

Albanian International School, një institucion arsimor i njohur në vend, nën drejtimin akademik të znj. Suzan Arrer me të cilën kemi bashkëpunuar në projekte të mëparshme, shprehën interesin për t'u bashkuar me ne në këtë nismë dhe i jemi mirënjohës për bashkëpunimin e tyre ku u përfshinë nxënësit, mësuesit dhe prindërit .

Dje, së bashku me Emirën, mundëm të vizitojmë ambientet e shkollës për të tërhequr librat e grumbulluar. Ishte mjaft emocionuese të shihje gjithë atë organizim të kësaj nisme me aq përkushtim dhe dashuri nga të gjitha palët e përfshira. Librat e dhuruar përfshijnë një koleksion me fusha të ndryshme interesi për të gjitha grup-moshat.

Ne vazhdojmë përpara, krenarë për punën dhe përkrahësit tanë, dhe shprehim përsëri falënderimet tona për të gjithë!