Të qetësuar pas një pushimi të shkurtër në fund të vitit 2022, kur ne mundëm të kalonim kohë pranë familjes dhe miqve, tani mund të shkruajmë rreth fazës së tretë dhe të fundit të Holiday Gift Drive që u zhvillua në Shtiqën, Kukës.

Ditën e shtunë më 24 dhjetor, në prag të festave, gëzuam familje në nevojë, të përzgjedhura me kujdes, duke u sjellë ushqime dhe për fëmijët e tyre, lodra dhe libra. Holiday Gift Drive i këtij viti ka qenë ndryshe dhe shumë i veçantë, jo vetëm për numrin e fëmijëve tek të cilët kemi sjellë gëzim, ku themi me krenari që kanë qenë mbi 100 fëmijë, por dhe për emocionet që na ka falur të gjithëve si staf.

Bashkëpunimet lidhur me donacionet e lodrave kanë qenë të shumta dhe kur shohim që të gjithë bëhen pjesë e një kauze si kjo, tregon se jemi në vendin e duhur dhe me njerëzit e duhur. Festat nuk vijnë gëzuar për shumë familje, dhe synimi ynë ishte që të bënim një ndryshim sado të vogël por domethënës tek një pjesë të vogël të tyre.

Arritja e këtij qëllimi është kryesisht falë jush, njerëzve që na mbështetët me lodra dhe donacione të tjera, ndaj duam të falënderojmë të gjithë ata që e bënë këtë mision të mundur dhe të suksesshëm.

Kontributet tuaja janë të rëndësishme për ne që të vazhdojmë misionet tona, nga të cilat aktivitetet bamirëse janë vetëm një pjesë e vogël në realizimin e synimeve tona madhore, arsimore dhe kulturore për të përfituar veçanërisht brezat e rinj shqiptarë.

Ne e mirëpresim bujarinë tuaj në çdo kohë të vitit dhe mund të dhuroni në disa mënyra në faqen tonë të web-it “Dhuroni”. Vetëm pak klikime në internet mund të jenë të dobishme në shumë mënyra!! Na kujtoni dhe na ndiqni në vazhdimësi.