Dhjetori është një muaj feste dhe gëzimi! Mijëra fëmijë në të gjithë botën fatkeqësisht nuk i kanë dhuratat e tyre nën pemën e Krishtlindjes për tu sjellë buzëqeshje dhe gëzim. Kjo është ajo që na frymëzon të organizojmë çdo vit programin “Holiday Gift Drive.”

Për vitin tonë të 5-të të “Holiday Gift Drive” shënuam një arritje të re dhe bashkëpunuam me dy shkolla në Tiranë: (AIS) “Albanian International School” dhe Shkollën e Mesme “Dertliu”. Pas dakortësimit me të gjitha palët e përfshira në këtë projekt, vendosëm që këtë vit t'ua kushtojmë këtë aktivitet fëmijëve në departamentet pediatrike (talasemi dhe kirurgjik) të QSUNT-së.

Shkollat e mësipërme organizuan fushatat e tyre për mbledhjen e lodrave dhe librave, aktivitete që mblodhën me shumë sukses një sasi të madhe të këtyre artikujve. Ato u grumbulluan nga ne në kuti të mëdha, u depozituan dhe më pas u organizuan brenda ambienteve tona. Anëtarët e grupit të vullnetarëve tanë paketuan dhe zbukuruan me kujdes të gjitha dhuratat deri në detaje, duke përgatitur kartolina të personalizuara të shkruara me dorë me mesazhe për çdo fëmijë dhe prind. Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë kohën dhe përkushtimin e tyre për ta bërë këtë projekt të realizueshëm.

Me shpërndarjen e gjithsej 50 dhuratave në pavijonet e pediatrisë, stafi dhe vullnetarët tanë ofruan gjithashtu argëtim me një shfaqje të veçantë dhe tërheqëse të robotikës. Robotët ishin veshur si Babagjyshi dhe Elfët e tij dhe ishin programuar të ndërvepronin, të shoqëroheshin dhe të këndonin këngë Krishtlindjesh bashkë me fëmijët.

Edhe pse moti ishte i vranët dhe me lagështirë, shpërndarja e dhuratave u realizua pa probleme dhe arritëm ta përfundonim misionin tonë me sukses. Puna e Babagjyshit u përmbush në kohë!

Një falënderim shumë i veçantë shkon për bashkëpunëtorët tanë (që kanë mbuluar edhe transportin), vullnetarët, anëtarët e stafit tonë, punonjësit socialë, infermierët, përgjegjësit e spitalit, dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, një falënderim i madh i takon anëtares sonë të stafit që e organizoi me sukses të gjithë aktivitetin. Përgëzime dhe përshëndetje për Blertën!