Ky përvjetor historik po festohet në Shkodër në gjimnazin 100-vjeçar “28 Nëntori”, ku Prof. Dr. Mirash Ivanaj luajti një rol me rëndësi të madhe si Drejtor dhe më vonë si Ministër i Edukimit Publik.

Më poshtë ndodhet teksti i pjesëmarrjes së Drita Ivanaj në këtë event me datë 25 Nëntor 2022.

“Përshëndetje dhe Gëzuar Përvjetorin e Gjimnazit “28 Nëntori” të Shkodrës.

Unë jam Drita Ivanaj, trashëgimtarja e fundit e gjallë e Familjes Ivanaj që ende mbahet mend për 2 vëllezërit që i kushtuan gjithë jetën këtij vendi duke ofruar shërbime të jashtëzakonshme për jetën e Shqipërisë gjatë viteve 1920 dhe 1930.

Martin, babai im, si jurist, gjykatës, kryetar i Gjykatës së Kasacionit, anëtar i Këshillit të Shtetit së bashku me të vëllanë e tij më të vogël, xhaxhai im Mirash, si mësues, drejtor i këtij gjimnazi, ministër i arsimit publik dhe drejtues i Këshillit të Shtetit që të dy gjatë jetës së tyre patën mjaft ndikim me kontributet e tyre profesionale në fushat përkatëse të drejtësisë dhe mësimdhënies.

Unë, ndërkohë, kam jetuar dhe punuar për më shumë se 7 dekada në New York, por pas 2 karrierash me kohë të plotë të kaluar atje, tani jam duke e kushtuar pjesën tjetër të jetës sime këtu: në vendin e origjinës dhe prejardhjes sime, duke u siguruar që Organizatat që kam krijuar në kujtim të babait dhe xhaxhait tim mund të ofrojnë një vazhdimësi të trashëgimisë së tyre.

Ato janë Fondacionet Ivanaj në New York dhe Tiranë, të cilat 5 vite më parë mundën të hapin selinë e tyre në një godinë moderne të ndërtuar në truallin origjinal të pronës së vëllezërve Ivanaj në Tiranën e Re. Dhe këtu jam edhe unë tani.

Që nga fillimi i jetës sime, kam jetuar në këtë zonë deri në moshën 5 vjeç e gjysmë, kur jeta e familjes time u shkatërrua plotësisht nga humbja e hershme e babait tim, i cili vdiq në internim, pasuar nga vdekja ne burg e xhaxhait kur ai u kthye në Shqipëri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Rezidenca jonë e banimit u shndërrua në zyrat e përgjithshme të Ushtrisë Italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas u shfrytëzua për 5 dekada nga diktatura shqiptare që pasoi në vijim.

Pavarësisht gjithë kësaj, unë kam mbetur “shqiptare” gjatë gjithë jetës sime, po ashtu edhe nëna ime e dashur – Giuseppina – me origjinë italiane dhe angleze – e cila e mori nënshtetësinë shqiptare pasi u martua me babanë tim dhe nuk e ndryshoi kurrë atë. I detyrohem asaj gjithçka që di, mësova dhe munda të ruaj nga palët e mia shqiptare dhe italiane dhe të gjitha sakrificat që ajo duroi gjatë emigracionit për në SHBA për të më dhënë mua një të ardhme më të mirë. Fatkeqësisht, e humba edhe atë kur isha në të 20-at e mia.

Sot, në 'Salla Ivanaj' te Fondacioni në Tiranë, kemi ekspozuar flamurin e madh shqiptar që i përkiste familjes Ivanaj që nga vitet 1930’, pasi nëna ime e ruajti kur u larguam nga vendi në Prill 1939 dhe unë e solla sërish kur munda të kthehesha në Shqipëri në vitin 1993.

Që atëherë, unë i kam kushtuar kohën, eksperiencën, sendet  personale dhe financat e mia krijimit të Fondacionet Ivanaj që tani po operojnë me sukses në të gjitha llojet e aktiviteteve, organizimeve dhe projekteve për të mirën e brezave të të rinjve shqiptarë. Ejani dhe na vizitoni në Tiranë!

Tani ne kemi koleksione të mëdha të dhënash në lidhje me dokumentacionet e kaluara të familjes Ivanaj me natyrë historike, dhe shpresoj që disa prej tyre të publikohen që të gjitha në të ardhmen. Tek ne ju gjithashtu mund të merrni pjesë ose të bashkëpunoni në disa nga projektet tona të ardhshme pasi ne kemi edhe mjaft vullnetarë aktivë të cilët veprojnë me ne në fusha të ndryshme të veprimtarive tona!

Megjithatë, para së gjithash, mendoni: çdo gjë fillon me arsimin, që fillon nga familja, mund të zhvillohet përmes shkollimit në shkallë të ndryshme dhe madje të përhapet horizontalisht në një sërë disiplinash dhe profesionesh.

Ju, nxënësit e Gjimnazit “28 Nëntori”, sapo keni nisur rrugëtimin e jetës suaj në arsim dhe mund të rriteni në mënyrë të gjithanshme në çdo drejtim që dëshironi për veten tuaj. Ditët e para kur xhaxhai im Mirash iu përkushtua zhvillimit të këtij institucioni dhe një sistemi arsimor publik tërësisht të ri në Shqipëri, si Ministër, ishin të vështira për një sërë arsyesh. Tani ju, keni para jush, 100 vjet përpjekjesh dhe arritjesh nga paraardhësit tuaj, shumë prej të cilëve kanë shkëlqyer përgjatë brezave.

Tani ju takon juve të bëni pjesën tuaj me ndihmën dhe mbështetjen e mësuesve tuaj! Dhe me këtë dua t'ju uroj të gjithëve: studime të mbara, mësim me cilësi të mirë dhe rezultate efikase!

Edhe 100 vite të tjera të suksesshme është dëshira ime për të gjithë Nxënësit dhe Mësuesit e Gjimnazit 28 Nëntori! Paçi fat!”

Drita Ivanaj – 25 Nëntor 2022