Vullnetarët luajnë një rol kryesor në Institutin e Fondacionit Ivanaj në Tiranë, duke punuar së bashku me anëtarët e stafit, vullnetarët e tjerë dhe komunitetin lokal për të arritur së bashku misionin tonë.

Falë organizatës simotër të Fondacionit tonë në Nju Jork, ne jemi të vetëdijshëm se çdo vit në SHBA festohet Java Kombëtare e Vullnetarëve dhe këtë vit ajo bie nga data 17 deri më 23 Prill. Kjo ngjarje është mundësia e përkryer për të theksuar edhe më shumë kontributin e fuqisë vullnetare të Institutit tonë në Shqipëri, puna e të cilit raportohet rregullisht nëpërmjet postimeve tona në formë blogjesh.

Ndërkohë që planifikojmë të dokumentojmë në postimet në vazhdim disa nga arritjet e anëtarëve më aktiv, më poshtë do shikoni disa statistika dhe të dhëna interesante të këtij grupi, të quajtur zyrtarisht “VOLIF”. Statistikat sipas bazës sonë të të dhënave i gjeni më poshtë:

Aplikimet:

Me një numër të lart aplikimesh të dërguara online në faqen tonë të internetit, ne numërojmë tani mbi 161 profile të regjistruara në bazën tonë të të dhënave tonë që nga qershori 2017.

Disa prej tyre edhe pse janë shpërngulur jashtë vendit, ose ndryshuan prioritete, ruajtën komunikimin me ne, duke mundësuar vazhdimësinë e marrëdhënies. Sot numërojmë më shumë se 40 anëtarë aktiv, që ende marrin pjesë, japin kontributin e tyre dhe punojnë me ne fizikisht në ambientet tona ose në mënyrë virtuale. 

Mosha mesatare dhe gjinia:

Mosha mesatare shkon nga 15 deri në 34 vjeç. Kemi edhe vullnetarë të moshave të treta, të cilët me përvojën e tyre jetësore krijojnë një diversitet të domosdoshëm në grupin tonë. 70% e anëtarëve janë vajza, duke nxjerr në dritë një tregues interesant mbi pabarazinë gjinore që ekziston në angazhimin nëpër grupe  vullnetare në Shqipëri.

Vendndodhja:

Pjesa më e madhe e vullnetarëve ndodhet në Tiranë, por kemi përfaqësues që banojnë në Korçë dhe Fier, pa harruar vullnetarët që pasi u larguan jashtë vendit, nuk i ndërprenë lidhjet. Disa prej tyre janë tani në Itali, Gjermani dhe SHBA, duke ndihmuar online sipas nevojës. Distanca nuk është pengesë!

Dega e arsimimit dhe ekspertiza:

Ne jemi krenarë të themi se kemi një shumëllojshmëri ekspertizash në Qendrën tonë vullnetare.

Nga degët e biznesit tek shkencat sociale/kompjuterike tek inxhinieria elektrike/bujqësore/elektronike, duke vazhduar me studentë nga fusha krejtësisht të kundërta si shkencat biologjike dhe biomjekësore; pa harruar letërsinë, historinë, gazetarinë, degët e filozofisë dhe arkitekturës. Kemi gjithashtu  edhe vullnetarë të degëve hulumtuese si  juridiku, infermieria, farmacia, dhe sigurisht studentë mjekësie.

Angazhimi:

Grupi mblidhet rregullisht çdo muaj për të diskutuar dhe planifikuar aktivitetet, si dhe për të ndarë detyrat. Gjatë pandemisë takimet dhe trajnimet vazhduan online duke përdorur platforma si Zoom dhe Skype.

Në mënyrë që grupi të krijojë shoqëri, afrimitet dhe besim tek njëri-tjetri, gjatë gjithë vitit kalendarik organizohen aktivitete sociale jashtë ambienteve të fondacionit, si pjesë e procesit të krijimit të një grupi të bashkuar.

Llojet e aktiviteteve të zhvilluara (zbatimi i projekteve dhe fushatat e bamirëse):

Ne kemi punësuar dhe përfshirë vullnetarë të aftë për të menaxhuar, koordinuar, ndihmuar në projekte komplekse në fushën edukative dhe mjedisore, programe të financuara nga Ballkani Perëndimor, Bashkia e Tiranës, donatorë privatë, etj. Edhe në projekte të veçanta si ato të ndërmarra për shkak të disa ngjarjeve të jashtëzakonshme si ajo e tërmetit dhe përhapja e pandemisë, vullnetarët kanë patur një rol të rëndësishëm në zbatimin e suksesshëm të tyre.

Çdo vit, vullnetarët organizojnë fushata bamirësie, duke u kujdesuar për ecurinë e tyre, që nga fillimi e deri në përfundimin e tyre.

Përfitimet e angazhimit vullnetar tek qendra jonë:

Puna që vullnetarët kanë bërë këtu u ka dhënë një përgatitje të gjithanshme dhe eksperiencën e duhur për të ecur përpara në karrierë. Ndjesia e përkatësisë dhe e të qenurit pjesë e një komuniteti, i ka zhvilluar aftësitë sociale duke krijuar komunitete më të forta dhe të bashkuara. Zhvillimi i normave të solidaritetit dhe reciprocitetit, janë gjithashtu efektet e tjera pozitive e këtij angazhimi.

Letra rekomandimi dhe certifikata mirënjohjeje u janë lëshuar anëtarëve që janë angazhuar më shumë, si një mënyrë për të shpërblyer përpjekjet e tyre dhe për t'i ndihmuar ata në rrugëtimin e karrierës dhe nivelin arsimor që duan, duke krijuar terrenin për të ndërtuar një të ardhme në Shqipëri. Vazhdoni të qëndroni të lidhur!

Për të shprehur mirënjohjen tonë do postojmë në vazhdim më shumë artikuj interesant,  veçanërisht javën e ardhshme kur vullnetarëve do tu dedikohen festime në nivel kombëtar! Mos harroni të na ndiqni në mediat tona sociale dhe të regjistroheni në gazetën virtuale në faqen web !