E nisëm këtë vit të ri me një atmosferë pozitive duke mbledhur grupin tonë të vullnetarëve për takimin e tyre mujor të parë në Bibliotekën Ivanaj. Kjo pandemi po rezulton të jetë e pamëshirshme dhe shumë anëtarë të grupit tonë janë prekur nga virusi, duke e bërë të vështirë organizimin e takimeve.

Kur ka vullnet, gjendet gjithnjë një mundësi, ndaj arritëm të mblidheshim dhe kundrejt gjasave po vazhdojmë punën tonë. Vullnetarët patën kënaqësinë dhe privilegjin të zhvillojnë një bisedë të hapur nëpërmjet platformës Zoom, me drejtoreshën ekzekutive znj. Drita Ivanaj, falë edhe pajisjeve tona moderne që e mundësuan një takim të tillë. Kjo nuk ishte hera e parë që grupi merrte pjesë në një takim hibrid. Gjatë këtyre muajve të trazuar pandemie, shumë nga takimet tona u zhvilluan virtualisht dhe si pjesë e normës së re të punës ne u përshtatëm dhe ia dolëm.

Grupi shkëmbeu ide dhe shqyrtoi prioritetet për këtë tremujor të parë të vitit 2022, duke krijuar një seri të re aktivitetesh të konceptuara nga dhe për qendrën e vullnetarëve. Nga projekt idetë, tek klubi i librit, tek punët bamirëse etj., të shumta ishin sugjerimet që kërkonin përkushtim dhe angazhim maksimal nga ana e tyre.

Ne i nxisim të gjitha mendjet brilante që duan të ndajnë njohuritë e tyre me këtë grup dhe stafin tonë, të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e kësaj qendre të veçantë të vullnetarëve, duke vënë në provë aftësitë e tyre dhe duke u përfshirë në diçka me potencial të madh.

Qëndroni të lidhur dhe të informuar duke ndjekur arritjet tona nëpër rrjetet sociale.

Plotësoni formularin online dhe bëhuni vullnetar, tani!