Programi “Përtej pengesave” filloi vjeshtën e kaluar si një koncept pilot i ideuar nga një prej vullnetareve tona, Zjsh. Skerdjana Muço, ide e cila u bë realitet duke përfshirë vullnetarë të tjerë nga grupi ynë, duke krijuar një grup kompakt njerëzish zemërmirë të bashkuar për një qëllim të caktuar.

Qëllimi i projektit ishte të ndërtonte marrëdhënie më të forta midis të rriturve dhe të rinjve (fëmijëve), si dhe të krijonte mundësi për anëtarët e komunitetit për të përmirësuar mirëqenien e tyre, për të zgjeruar njohuritë e tyre në lidhje me shëndetin, për të promovuar shëndetin personal dhe familjar, si dhe për të përmirësuar sjelljet në shoqëri.  

Metodologjia e përdorur ishte ajo e të mësuarit bashkëveprues në grup, një koncept i thjeshtë që synonte që fëmijët dhe/ose të moshuarit të punonin në grupe së bashku dhe në këtë mënyrë, qasja dhe ndikimi në procesin e të mësuarit rezultoi të ishte akoma më efektive.

Pavarësisht vështirësive, vizitat e rregullta në terren në qendrën sociale “Gonxhe Bojaxhi” në Tiranë, u kryhen rregullisht një herë në javë nga nëntori deri në fund të vitit 2021.

Rezultatet ishin të jashtëzakonshme: vullnetarët ishin në gjendje të edukonin fëmijët dhe të moshuarit në tema të tilla si higjiena personale; zakone të shëndetshme të ushqyerit; etika bazike e mirësjelljes në shoqëri; jetesë të shëndetshme si dhe këshilla më specifike mjekësore.

Të gjithë vullnetarët e përfshirë kishin një formim arsimor të ngjashëm, duke përfshirë një studente të vitit të fundit në mjekësi, një studente të sapo diplomuar për infermieri në Turqi, një vullnetare me diplomë në degën e psikologjisë, si dhe një student në vit të fundit të shkollës së mesme i cili futet për konkurs mjekësie këtë vit. Këta vullnetarë ofruan një ekspertizë më të kualifikuar në seancat edukative si dhe në aktivitetet rekreative argëtuese.

Rezultatet edukative të këtij programi na bëjnë të planifikojmë vazhdimin e tij duke shtrirë kohëzgjatjen e projektit edhe gjatë gjithë këtij viti të ri, me një fokus të veçantë për tek të moshuarit. Ky do të jetë një vazhdim i konceptit tonë origjinal të Klubit të Teknologjisë së të Moshuarve (KTM), që për shkak të situatës emergjente të pandemisë u pezulluar gjatë edicionit të tij të tretë.

Më shumë rreth programit të K.T.M., mund të gjeni tek faqja jonë web e dedikuar për projektet.

Nëse dëshironi të aplikoni dhe të bëheni pjesë e ekipit tonë vullnetar dhe të merrni pjesë në këtë program dhe iniciativa të tjera të ngjashme, plotësoni formularin online këtu.

Donacionet janë gjithmonë të mirëpritura, për arsye se ky program është plotësisht i vetë-financuar dhe vullnetar. Klikoni linkun dhe bëni donacionin tuaj online.

Na ndiqni në rrjetet sociale për më shumë!