Më shumë se 20 vullnetarë dhanë kontributin e tyre në përgatitjen dhe shpërndarjen e lodrave në edicionin e 4-t të fushatës vjetore për fëmijët në nevojë. Gjatë këtyre dy viteve pandemia na bëri gjithëve të reflektonim për rendësinë që ka shëndeti i mirë.

Dritat dhe muzika gazmore e festave fiken dhe zbehen kur flasim për fëmijë që vuajnë nga sëmundje të rënda dhe kronike që mund edhe t’u kushtojnë jetën. Këtë vit donim të bënim diçka të veçantë në lidhje me këtë tematikë dhe pasi shkëmbyem ide me grupin tonë të vullnetarëve, vendosëm që këtë vit mbledhjen e lodrave për fëmijë t’ia dedikonim vogëlushëve të shtruar në “Departamentin e Onkologjisë” pranë “Pedriatisë” tek Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza", spitali qendror i Tiranës.

Mjekët dhe infermierët bëjnë të pamundurën për të trajtuar dhe shëruar, por asgjë nuk sjell më shumë gëzim sesa një gjest i bërë me përzemërsi dhe një dedikim i shkruar bukur. Vullnetarët përzgjodhën lodra të ndryshme për pakot, si kuba rubiksi, lodra me enigma në 3D, lojëra tavoline, kulla jenga, arusha për më të vegjlit, si dhe libra.

Për më tepër, ne i dhuruam pavijonit të spitalit libra të përzgjedhur për fëmijë, kuba druri për të vegjlit, blloqe ndërtimi, furça për pikturë, libra për t'u ngjyrosur së bashku me lapustila dhe lapsa me ngjyra. Gjëja e rëndësishme që mbajtëm parasysh ishte që këto dhurata t’u siguronin pacientëve të mitur një shpërqendrim nga trajtimet dhe mjekimet e lodhshme dhe ndër të tjera, edhe pak lehtësim nga stresi dhe ankthi që përjetojnë.

Vullnetarët paketuan dhe dekoruan me kujdes çdo pako, gjithçka me vëmendje ndaj detajeve, duke shkruar kartolina të personalizuara me dorë me mesazhe për çdo fëmijë dhe prind. Një shfaqje futuristike me robota u ofrua si pjesë e animacionit, diçka unike e organizuar me shumë dedikim nga anëtarët e stafit dhe vullnetarët tanë. Robotët ishin të veshur me maska super heronjsh dhe ishin programuar për të ndërvepruar dhe socializuar me fëmijët, duke ofruar një argëtim të sigurt pa frikën e virusit.  

Një falënderim të veçantë i dedikohet donatorëve nga Nju Jork që bënë të mundur edicionin e këtij viti, si dhe gjithë stafit të Fondacionit të përfshirë, pa harruar vullnetarët dhe punonjësit socialë, infermierët, doktorët dhe administratorët e spitalit që pavarësisht vështirësive sfiduese të shkaktuara nga virusi, e bënë të mundur këtë aktivitet.  

Ishte një ditë e veçantë si për fëmijët, ashtu dhe për prindërit e tyre dhe ne ndihemi të bekuar nga kjo eksperiencë mbresëlënëse.   

Në muajt e ardhshëm do kemi akoma më shumë materiale për të ndarë me ju, ndaj vizitoni faqen tonë të internetit dhe ndiqni punën dhe projektet tona në Facebook, Instagram dhe LinkedIn.