Shërbimi komunitar që është gjithashtu pjesë e përvojës vullnetare dhe sjell një ndjenjë arritjeje për këdo që përfshihet në të, mblodhi katër nga anëtarët e grupit tonë të vullnetarëve, të cilët u bashkuan për të zhvilluar një ide të veçantë. Ata të gjithë ndajnë të njëjtën dhembshuri për fëmijët dhe janë të vetëdijshëm për rëndësinë e tyre në shoqëri.
Koordinatorët dhe edukatorët e qendrës komunitare u dhanë mundësinë vullnetarëve tanë të praktikojnë aftësitë e tyre, duke i mbështetur dhe këshilluar për mënyrat më të përshtatshme se si duhet të zhvillojnë takimet me këtë grup të brishtë ku synojnë të fokusohen.
Ky program javor do të edukojë fëmijët dhe adoleshentët e qendrës në tematika si higjiena personale; të ushqyerit të shëndetshëm; etika shoqërore, si dhe do u jap këshilla më specifike mjekësore. Programi quhet “Përtej pengesave” dhe takimet planifikohen të vazhdojnë deri në fund të vitit 2021. Temat do të shoqërohen me lojëra dhe aktivitete ndërvepruese, për të promovuar punën në grup, imagjinatën dhe zhvillimin e aftësive motorike tek fëmijët dhe adoleshentët.
Edhe të moshuarit e qendrës do kenë mundësinë të përfitojnë nga këto seanca. Edukimi shëndetësor do të fuqizojë të gjithë anëtarët e këtij komuniteti, për të përmirësuar gjendjen e tyre shëndetësore. Diskutime të hapura për tema të ndryshme si sëmundjet e zemrës, diabeti etj., do të ofrohen si vlerë e shtuar përgjatë seancave javore.
Skuadra e vullnetarëve që po angazhohet në këtë projekt ka njohuritë dhe aftësitë e duhura për të krijuar një mjedis të sigurt mësimi që do të motivojë të rinjtë dhe të moshuarit për të përmirësuar dhe ruajtur shëndetin e tyre (fizik dhe mendor).
Ne do ta dokumentojmë ecurinë e këtij projekti çdo javë, ndaj qëndroni të lidhur dhe ndiqni zhvillimet në mediat sociale. Regjistrohuni në faqen tonë për të marrë përditësimet më të fundit.