Ndërsa po i afrohemi dalëngadalë fundit të vitit dhe Fondacioni në Tiranë vazhdon të jetë i zhytur në zbatimin e shumë projekteve, ne kthejmë kokën pas për të parë se cilat kanë qenë disa nga vështirësitë tona gjatë këtij viti.

Pas mbledhjes së bordit tonë të cilat i mbajmë dy herë në vit, në prill 2021, ne dorëzuam në Gjykatën e Tiranës një vendim të Bordit për të konfirmuar një ndryshim në të dhënat zyrtare të organizatës sonë, sipas procedurës normale në raste të tilla. Që atëherë kanë kaluar 8 muaj dhe përpjekjet e shumta për të marrë informacion nga zyra jonë në Tiranë kanë qenë të kota.

Pavarësisht dispozitave të përcaktuara në ligjin e sapo miratuar nr. 80/2021, nuk ka një strukturë të dedikuar për t'i dhënë OJQ-ve informacion ose drejtim brenda sistemit të Gjykatës në Tiranë. Sa herë që ka nevojë për informacion, duke qenë se nuk ofrohet asnjë numër telefoni, email apo portal online, mënyra e vetme për ta marrë atë është të shkojmë personalisht në Gjykatë. Dhe kështu kemi bërë në mënyrë të përsëritur! Përgjigja ka qenë, ose asnjë përgjigje, ose se kërkesa jonë mund të shqyrtohet në një moment të caktuar, dhe kjo ndodh çdo muaj. Megjithatë, ne presim…

Me gjithë vështirësitë, betejat, muret që hasëm rrugës, Fondacioni në Tiranë do të durojë. Misioni ynë është i qartë dhe ne do ta ndjekim atë, pavarësisht se cilat janë sfidat.

Për të ndihmuar Fondacionet Ivanaj në misionin e tyre në avancimin e arsimit dhe kulturës për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, na përkrahni duke klikuar këtu dhe na ndiqni përmes faqes sonë të internetit, Facebook, Instagram dhe LinkedIn.