Më 14 dhjetor të vitit 1990, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 1 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve.

Tema e këtij viti është "Barazi digjitale për të gjitha moshat" dhe thekson rëndësinë e pjesëmarrjes së personave të moshuar në botën digjitale.

Në vitin 2018, Instituti i Fondacionit Ivanaj në Tiranë nisi nismën e “Klubit të Teknologjisë për Moshat e Treta (STC)”, i cili ishte një program që synonte të krijonte një lidhje midis brezave duke i krijuar mundësi ndërveprimi teknologjik si dhe shkëmbim eksperience. Qëllimi kryesor i klubit të teknologjisë ishte t'u siguronte të moshuarve mjetet e nevojshme për të mësuar bazat e përdorimit të kompjuterit dhe internetit, në mënyrë që ata të ndiheshin më pak të izoluar dhe më shumë të lidhur me brezin e ri.

Arritjet e vitit të parë të këtij projekti ishin të shumta. Së pari arritëm të trajnonim një grup prej më shumë se 20 të moshuar, duke i mësuar një larmi përdorimesh të teknologjisë dhe aplikacioneve, si në celular ashtu edhe në kompjuter, duke mos harruar funksionet themelore të kompjuterit si dhe përdorimin e email-it, të skype-it dhe mediave sociale. Në fotot që gjeni bashkangjitur këtij artikulli do të mund të shikoni edhe kujtimet e udhëtimit në Shkodër, të realizuar me kujdes nga stafi ynë, që simbolizoi mbylljen e pjesës të parë të këtij programi.

Përparimi i teknologjisë ofron një horizont të ri për të përshpejtuar arritjen e progresit drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG). Megjithatë, ende më shumë se gjysma e popullsisë globale mbetet akoma prapa dhe larg kësaj statistike.

Ne shpresojmë të prekim sërish suksesin që patëm në vitit 2018 dhe të zgjerojmë grupin e synuar duke ofruar risi me një program akoma edhe më praktik dhe bashkëkohor.  Fatkeqësisht, pandemia këto dy vitet e fundit pengoi avancimin e punës me projekte, megjithatë nuk arriti dot të ndalonte përpjekjet për të arritur qëllimet tona. Pavarësisht pengesave, disa nga “studentët” e programit vazhdojnë të na ndjekin virtualisht e presin me padurim të përfshihen sërish në projektet tona.

Objektivat e #UNIDOP2021 janë rritja e ndërgjegjësimit dhe e rëndësisë së përfshirjes të personave të moshuar në botën digjitale, duke marrë parasysh normat social-kulturore dhe të drejtën për të pasur autonomi.

Duke shpresuar që kjo pandemi të ngadalësojë forcën shkatërruese të saj, ne synojmë që puna jonë e palodhur të vazhdoj, duke zbatuar projekte të suksesshme dhe kuptimplota. Ndërkohë, ne mbështetemi në përkrahjen tuaj nëpërmjet link-ut më poshtë:  

https://ivanaj-foundations.org/sq/perfshihuni/dhuroni/

Na ndiqni në Facebook / Instagram / Linkedin, aty do gjeni gjithnjë të rejat e fundit me lajme të përditësuara.