Vjeshta na riktheu një rutinë të re sezonale. Takimet tona mujore tashmë janë caktuar dhe shënuar tek kalendari i faqes web të Fondacionit deri në fund të vitit, tregues gjithashtu që grupi ynë i vullnetarëve po zhvillohet dhe konsolidohet muaj pas muaji.
Të rrethuar nga librat e Bibliotekës Ivanaj, vullnetarët u mblodhën për takimin e tyre mujor të planifikuar për muajin shtator. Meqenëse në tremujorin e fundit disa prej tyre u angazhuan për herë të parë në projekte dhe punë kërkimore, ishte shumë e nevojshme që të preknim një tematike si ajo e punës në grup.
Ne të gjithë e dimë se aftësia për të punuar në grup është thelbësore në çdo aspekt dhe fazë të jetës tonë.
Puna në grup është e domosdoshme për të pasur një karrierë kuptimplotë dhe afatgjate. Duhet të jemi gjatë gjithë kohës në gjendje të bashkëpunojmë me të tjerët, kjo është gjithashtu edhe arsyeja pse puna në grup është kaq e rëndësishme për të na zhvilluar si nga ana profesionale, ashtu dhe nga ana personale.
Është një gjë të kesh një ekip, por është plotësisht diçka tjetër të kesh bashkë kuptim brenda tij. Një grup që punon mirë së bashku mund të ketë sukses si bashkësi dhe të prodhojë rezultate të shkëlqyera. Kjo është pikërisht ajo që synojmë edhe ne për pjesëtarët e grupit tonë të vullnetarëve.
Për planet në vazhdim do të ishte mirë të shikonim anëtarët e grupit të angazhuar seriozisht duke punuar në një mënyre të organizuar dhe të gatshëm për të ndërvepruar në mënyrë të qëndrueshme brenda ambienteve të Fondacionit.
Kjo është arsyeja pse çdo muaj ne do u ofrojmë vullnetarëve, trajnime dhe punëtori unike, duke vlerësuar dhe theksuar rëndësinë e krijimit të këtij grupi rinor.
Aktivitetet dhe mbledhjet tematike me metoda dinamike janë tashmë të shënuara në axhendën tonë dhe nëse dëshironi të mësoni më shumë dhe të jepni kontributin tuaj, jeni të mirëpritur të regjistroheni këtu dhe të bëheni pjesë e kësaj eksperience të veҁantë.