Qëndrueshmëria gjatë katastrofave natyrore është çelësi për arritjen e objektivave të një projekti të mirëmenduar.

Një vit më parë, kur ne nisëm këtë bashkëpunim trepalësh, në atë kohë ende pa një emër specifik, projekti „Gratë për gratë“, kuptuam rezultatet e prekshme që mund të vinin si një shpërblim i mundshëm nga ky angazhim. Nuk ishte aspak e lehtë. Vënia në zbatim e këtij projekti madhor, na përballi me pengesa të konsiderueshme, të cilat na e vështirësuan paksa punën, por asnjëherë nuk lejuam të ndikonte në rezultatet pozitive që kishim parashikuar dhe planifikuar në pikënisje të procesit.

Gjatë këtyre muajve, arritjet tona ishin të shumta dhe tani jemi të lumtur t‘i ndajmë me ju duke i përmbledhur në statistikat vijuese: ndërkohë që fokusi ynë ishte kryesisht në dhënien e ndihmës për gratë dhe fëmijët në zonat rurale, aty ku dhe tërmeti shkaktoi dëmet më të shumta, asistuam gjithashtu personalisht, tek secili i prekur, mbi 85 persona gjithsej, gra, studente dhe fëmije të vegjël.

  • Punuam me 17 gra sipërmarrëse që operonin në zonat si Kruja, Vau i Dejës, Durrës, Tiranë dhe Lezhë. U siguruam atyre trajnim ligjor dhe financiar duke i dhënë secilit sipërmarrës fonde për rindërtim nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti si dhe bëmë të mundur mbulimin e disa prej shpenzimeve për blerjen e lëndëve të para.
  • Një numër total prej 40 pjesëmarrësish, të përbërë nga 10 gra dhe fëmijë në Ishëm, 10 fëmijë në Bubq dhe të tjerë, u zgjodhën dhe iu dha ndihma psikologjike përmes seancave terapeutike profesionale nga një psikolog i trajnuar, i cili i ndihmoi të superojnë traumën e përjetuar duke i aftësuar edhe në kapërcimin e situatave problematike brenda familjeve respektive.
  • Një segment i këtij projekti prej tre fazash, iu kushtua të rinjve adultë; studentëve të përzgjedhur të cilët u detyruan t’i linin studimet ose t'i bënin pauzë për një kohë të caktuar për shkak se familjet nuk mbulonin dot shpenzimet e arsimimit të tyre; këtyre grupeve vulnerabël iu dha ndihmë gjithashtu. Pra, 10 studentë të universitetit ishin në gjendje më në fund të paguanin tarifat universitare, duke i bërë edhe më optimistë për situatën. Por, nuk ndaluam këtu. Ne vazhduam misionin tonë dhe ndihmuam 18 studentë të tjerë (16 vajza dhe 2 djem) në ndjekjen e kurseve të trajnimit profesional, duke i  ndihmuar në pagesat e tarifave të kurseve, mbulimin e kostove të transportit, si dhe sigurimin e materialeve të tjera nevojshme për vazhdimësinë e suksesshme të procesit.

Rezultati i të gjitha këtyre veprimeve të ndërmarra doli të jetë edhe më i suksesshëm nga sa ishte parashikuar në fillim, me feedback tepër pozitiv, i pasqyruar jo vetëm në sytë e përftuesve, por edhe në përfshirjen me gjithë zemër të të gjithë pjesëmarrësve.

Vazhdoni të na ndiqni në zhvillimin e projekteve tona, përditesohuni me të rejat e fundit në faqen tonë të internetit dhe platformat sociale (Facebook, Instagram, LinkedIn) si dhe vazhdoni na mbështesni me donacionet tuaja, klikoni lehtësisht linkun këtu.

Ky projekt mbështetet nga kontributet financiare të mbledhura nga Gratë Shqiptaro-Amerikane në Washington DC, përmes Valbin's Center for International Programs (CIP) dhe zbatohet nga ‘The Ivanaj Foundations of New York and Tirana’.