Të shtunën e kaluar, një tjetër takim online me profesionistë shqiptar në diasporë u mbajt për anëtarët e Grupit të Vullnetarëve të Fondacionit Ivanaj në Tiranë si pjesë e programit për të rinjtë të titulluar “R.I.N.I.”. Interesi i të rinjve për të patur një bisedë me ekspertët shqiptar jashtë kufijve ishte i lartë dhe kërkesat ishin të shumta; ndaj stafi i Fondacionit Ivanaj mundësoi një takim virtual të dedikuar vetëm pyetjeve të ndjekësve të rinj dhe përgjigjeve nga ekspertët vullnetarë.
Temat e diskutuara varionin nga kurioziteti i të rinjve për të mësuar rreth sistemit arsimor jashtë kufijve, në mundësitë për të krijuar një karrierë, në sugjerimet për mënyrat për tu angazhuar më shumë në vendim-marrje në Shqipëri, etj.
Ndër të tjera, ekspertët u ndalën në dhënien e këshillave për angazhim në vendimmarrje. “Vendim-marrja fillon në jetën tuaj të përdishme” – u shpreh një prej tyre – “Zgjedhjet që bëni çdo moment të ditës janë marrje e vendimeve”. “Në një kontekst më të gjerë, angazhimi për zgjidhjen e problematikave individualisht, apo në grup, ju çon që ju të propozoni zgjidhje dhe të ndikoni në marrjen e vendimeve”, shtoi më pas eksperti.
Seria e takimeve R.I.N.I. bashkon të rinj në Shqipëri dhe jashtë kufijve me ekspertë shqiptar në diasporë. Takimet virtuale në këtë kuadër do të vijojnë dhe me to, edhe aktivitete të tjera në përpjekjen tonë të vazhdueshme për të dhënë gjithmonë një eksperiencë edukimi dhe kulturore unike për një audiencë edhe më të gjerë dhe të ndryshme. Ndaj, ne ju ftojmë të na ndiqni në median sociale dhe të regjistroheni në faqjen tonë web.