— Një shkrim nga vullnetarja jonë Klaudia Hoxha

Pra, situata është e tillë!

Jemi në një gjendje mjaft të vështirë, duke luftuar me diçka të padukshme, një sëmundje të quajtur  Covid-19 që ka përqafuar të gjithë botën. Mijëra njerëz janë duke u përballur me këtë periudhë karantine ose izolimi si rezultat i rrezikut të infektimit prej tij.                      

Në Shqipëri jemi prej dy muajsh, në karantinë! Për fat të mirë, situata është nën kontroll, por ende lufta nuk është fituar. Të jesh në karantinë do të thotë humbje e kontrollit mbi rutinën normale të jetës. Kur ndiejmë se gjërat janë jashtë kontrollit tonë, nivelet tona të frikës rriten për shkak të rrezikut që ne perceptojmë se do të ndodhë. Lajmet e përditshme me shifrat në rritje të të infektuareve, ndikojnë ndjeshëm në rritjen e ndjenjës së mungesës së kontrollit.

Për më tepër, angazhimi në punë përbën një pjesë të rëndësishme të identitetit dhe qëllimit tonë personal dhe social në shoqëri. Të jesh pa punë, ose të paktën të mos kesh atë rutinën tënde normale, mund të ndikoje negativisht në psikologjinë e gjithësecilit kur nuk je në gjendje të përmbushesh detyrat e tua të përditshme.

Në këtë pikë është mjaft e rëndësishme të flasim rreth asaj se si ta zbulojmë veten në këte gjendje karantine.

Personalisht,  jam duke e mbajtur veten të zënë duke praktikuar disa nga hobit e mia, si vizatimi, leximi i librave, të shoh seriale në internet, duke kaluar një kohë me familjen dhe ndonjëherë gatuaj duke parë receta të reja në YouTube. Meqenëse kam shumë kohë të lirë nuk më kushton asgjë për të provuar gjëra të reja në shtëpi! Shumë herë, shumë prej nesh ankohen se nuk jemi në gjendje të kalojmë kohë me familjet tona, kështu që ja zgjidhja, përqendrohuni tek avantazhet e kësaj situate vërtet të ndërlikuar.

Për më tepër, karantinimi më ka mësuar edhe shumë të tjera dhe unë po i kushtoj vëmendje të gjithave pa përjashtim!

Së pari, të kujdesesh për trupin tënd nuk kushton aq shumë, vetëm pak vëmendje. Gjithashtu, shumica e njerëzve mund të punojnë nga shtëpia në mënyrë perfekte. Dhe cili është kuptimi i jetës? Të jesh pranë familjes, të ushqehesh mirë, akoma më mirë të përqendrohemi tek ushqimi vegjetarian dhe të jemi mirënjohës.

Nga ana tjetër, është mirë që të keni para mënjanë të kursyera. Asnjëherë nuk e dimë se kur do të na duhen, sot, nesër apo pas shumë kohësh, duhet të jemi të përgatitur. Së fundmi, spitali më i sigurt në botë është Shtëpia jonë. Askush prej nesh nuk mund të jetë shëndoshë e mirë nëse nuk po sigurohemi që të gjithë ne, në të gjithë botën, janë të sigurt dhe të shëndetshëm.

Si përfundim, ne po përballemi me një lloj lufte, vendi im, vendi yt, me pak fjalë i gjithë planeti dhe, varet nga ne përhapja e mëtejshme e saj. Edhe pse është goxha sfiduese, e vështire dhe kërkon shumë përpjekje, më tepër psikologjike, nuk është e pamundur. Ne mund t‘ja dalim dhe do t‘ja dalim, të gjithë së bashku!