Me shumë kënaqësi po ju prezantojmë një koncept të ri, platforma online: RiniaSot.al. Kjo platformë vjen në përmbyllje të aktiviteteve të zhvilluara në kuadrin e projektit “Shoku im Polic” i cili u zhvillua nga Fondacioni Ivanaj me mbështetjen e Bashkisë Tiranë. Kjo platformë do të shërbejë si një hapësirë virtuale për të ndarë eksperienca, metodologji dhe informacione mbi të drejtat dhe përgjegjësitë civile, individuale dhe institucionale si dhe rolin e rëndësishëm të shkollës, familjes, komunitetit, qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore.

Parimi kryesor i kësaj platforme është nxitja e bashkëpunimit midis prindërve, mësuesve, institucioneve arsimore dhe aktivistëve të tjerë në komunitet për të arritur një komunikim më të mirë dhe gjetur zgjidhje profesionale për cështje që kanë të bëjnë me dhunën dhe sigurinë në shkolla.

Udhëzimet e paraqitura këtu janë konkluzioni i punës së këtij projekti që konsistoi në kërkimin, vlerësimin e nevojave, informacionin e eksperteve më eksperiencë, një seri sesionesh informative të zhvilluara në 11 njësitë administrative të Tiranës si dhe komentet dhe sugjerimet e marra nga prindërit dhe mësuesit që morën pjesë në këto sesione. Zgjidhja e problemeve të dhunës dhe sigurisë duhet të jetë shqetësim i të gjithëve për të mirën e fëmijëve tanë, të cilët do trashëgojnë dhe udhëheqin këtë vend, prandaj ne i ftojmë të gjithë të bëhen një zë aktiv në këtë platformë duke ofruar eksperienca dhe zgjidhje për këto çështje të rëndësishme.