Të moshuarit në Shqipëri kanë gëzuar gjithmonë një status të veçantë në shoqëri. Për shembull, zakoni shqiptar është që kur një person i moshuar hyn në dhomë, të rinjtë duhet të ngrihen në shenjë respekti. Po kështu, kur takoheni me një grup njerëzish, gjithmonë përshëndetet më parë personi më i moshuar dhe më pas të tjerët.
Megjithatë, në vitet e fundit, dhe me avancimin e teknologjisë, të moshuarit janë lënë në harresë. Ata shpesh nuk kanë mundësinë të marrin pjesë në botën moderne, duke u distancuar gjithnjë e më shumë prej saj.
Duke njohur vlerën dhe rolin e rëndësishëm që luajnë të moshuarit në shoqërinë tonë, Fondacioni Ivanaj ka menduar një mënyrë për të zvogëluar këtë distance, por ka nevojë për ndihmën tuaj për ta realizuar.
Zgjidhja jonë është një Klub i Teknologjisë për të Moshuarit (KTM), i pari i këtij lloji në Shqipëri!
KTM do të zhvillohet brenda ambienteve të Fondacionit Ivanaj. Ashtu si emri i tij nënkupton, në KTM personat 55 vjeç e sipër do të marrin pjesë në trajnime mbi një shumëllojshmëri njohurish teknologjike, të cilat do t’i ndihmojnë ata të ri-integrohen në shoqërinë bashkëkohore. Përveç trajnimeve për përdorimin e teknologjinë, projekti do të synojë t’i fuqizojë ata për të jetuar çdo ditë më të pavarur, e njëkohësisht më të socializuar. Programi i KTM-së do e realizojë këtë duke u mundësuar atyre që:
- të lidhen më mirë me të dashurit e tyre brenda dhe jashtë vendit;
- të kontribuojnë me idetë e tyre në platformat e mediave sociale online;
- të jenë të informuar për lajmet dhe ngjarjet e fundit;
- të bëjnë kërkime dhe të gjejnë përgjigje për pyetjet/interesat e tyre të ndryshme;
Më poshtë janë disa nga temat që do të trajtohen në KTM:
- Aplikacione të tilla si Skype, WhatsApp, Facebook dhe çdo platformë tjetër e mediave sociale;
- Aftësitë bazë kompjuterike;
- Si të bëjnë kërkime online dhe ku të gjejnë informacione me interes;
- Si të përdorin telefonat celular, të fotografojnë dhe të shkëmbejnë shkrime dhe fotografi me miqtë dhe familjen.
KTM gjithashtu do të ofrojë shumë hapësira që të moshuarit tanë të angazhohen në një shumëllojshmëri aktivitetesh ku ata do të kenë edhe më shumë mundësi për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin dhe me vullnetarët dhe trajnuesit. Shpresojmë që përmes këtyre aktiviteteve, të moshuarit do të inkurajohen të ndajnë njohuritë e tyre në drejtim të zhvillimit të ideve krijuese dhe sipërmarrëse të të rinjve, duke qenë se ky është një tjetër drejtim në të cilin jemi të fokusuar në misionin tone.
Aktivitetet mund të përfshijnë:
- Udhëtime ditore në natyrë/shëtitje në natyrë
- Vizita në vende historike, muze dhe galeritë e artit
- Takime dhe dreka me qëllim socializimin e anëtarëve të klubit
Duke i bërë të moshuarit pjesëmarrës aktivë në botën dixhitale, dhe duke i ofruar mundësi për t’u shoqëruar dhe për t’u angazhuar me të rinjtë shqiptarë, ne po ndihmojmë gjithashtu për të krijuar një urë lidhëse midis brezave. Programi i KTM do të jetë një vlere e shtuar për Fondacionin Ivanaj sepse ne besojmë që rinia është çelësi i të ardhmes, por të moshuarit janë çelësi i të kaluarës. Të moshuarit mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë veten tonë nëpërmjet eksperiencës, tregimeve dhe këshillave të tyre.
Shuma prej $20,000 që na nevojitet për këtë projekt mbulon blerjen e laptopëve dhe pajisjeve për laboratorin dhe komponentët e tjerë të nevojshëm për zbatimin e tij, që përfshijnë disa bashkëpunëtorë që janë profesionistë të fushës, transportin e personelit dhe pjesëmarrësve për kryerjen e aktiviteteve, si dhe për të zhvilluar eskursione me interes të përbashkët. Detajet rreth programit dhe zhvillimet e mëtejshme do të mund t’i gjeni tek faqja jonë e web-it dhe blogu.
Fondet e mbledhura nga Fondacioni Ivanaj në NY, lejohen ligjërisht të transferohen në Institutin e Fondacionit Ivanaj në Shqipëri për zbatimin e programit. Ju mund të jepni kontributin tuaj direkt në faqen tone të internetit “Dhuroni” ose mund të ndiqni linkun që gjeni në Facebook për ngritjen e fondeve:
https://www.facebook.com/donate/588118051590376/?fundraiser_source=external_url
Nëse keni një person të moshës së tretë që është i rëndësishëm për ju, ju keni mundësinë t’ia dedikoni atij/asaj kontributin, duke na dërguar një mesazh privat me një fotografi të tij/saj dhe disa rreshta me arsyet që ju kanë motivuar të kryeni kontributin në emër të atij personi dhe ne me shumë kënaqësi do e postojmë në websitin tonë.