Festa e Pavaresise me femijet - 28 Nëntor 2017

Më 28 nëntor 2017, me rastin e festës së Pavarësisë, ftuam nxënës të klasave të dyta për të festuar në shoqërinë e animatorëve të shkëlqyer. Siç e shikoni edhe nga fotot dhe video, festa kishte si tematikë “28 nëntorin” dhe përmbante këngë, recitime, lojëra, pikturim të fytyrës si edhe një teatër kukullash të përgatitur posaçërisht për këtë festë.

Kjo festë mbarëkombëtare na gjeti në punë e sipër për restaurimin e dokumenteve historike, disa prej të cilëve u ekspozuan përkohësisht në ambientet e Sallës Ivanaj. Gjithashtu të pranishmit panë me interes objektet historike në ekspozitorët përgjatë korridoreve të Fondacionit. Ndërsa në sallën e bibliotekës ata patën mundësi të shohin filma historikë shqiptarë dhe zhvilluan biseda të këndshme mbi libra dhe dokumente të ndryshme. Ishte një ditë e këndshme dedikuar fëmijëve dhe rinisë!