Nga Entela Bodinaku
Asistente Ekzekutive e Drejtorit te Fondacionit 

Një traditë e bukur, që mund të ketë filluar siç thotë mësuesja tashmë prej kohësh në pension dhe pjesë e familjes time Znj. Violeta Mita, që në vitet 60’. Është e habitshme se si, me gjithë ndryshimet e mëdha që ka pësuar Shqipëria, në rrafshin politik, ekonomik, shoqëror dhe social, me gjithë ndryshimet pothuajse tërësore të kurrikulave të shkollave që nga filloret e deri tek universitetet, me gjithë dëshirën e madhe të shqiptarëve për të ndryshuar çdo gjë, për t’u bërë si gjithë Evropa, një festë e tillë ka mbetur pothuajse e pandryshuar.

Është për t’u lavdëruar një insistim i tillë i brezave të tërë të mësuesve për të vazhduar një traditë kaq të veçantë. Jo çdo gjë e vjetër është për t’u hedhur poshtë. Nganjëherë gjenden gjëra të cilat edhe mund t’i kemi bërë mirë që në fillim.

Sot pata një gëzim të veçantë personal: që nga festa ime e abetares në 1983, sot mu dha rasti të marrë pjesë në festën e tim biri. Nuk dëshiroj të heq paralele këtu me vitin 1983.

ABC Class of 1083

Fëmijët e sotëm janë më të zgjuar nga natyra, më inteligjentë dhe teknologjikisht të programuar për të kuptuar çdo gjë më shpejt se brezat e mëparshëm. Ne i këndonim këngët e abetares me fizarmonikë, shoqëruar nga profesori ynë i muzikës, kurse sot çdo gjë është e kompjuterizuar. Këto janë veçse gjëra pozitive për Shqipërinë. Por ama mu mbushen sytë me lot teksa dëgjoja tim bir dhe shokët e tij të klasës të recitonin vjersha nga poeti i madh shqiptar Naim Frashëri që breza të tërë kanë recituar prej vitesh.

 

Gjuha jonë, sa e mirë,

Sa e ëmbël, sa e gjerë,

Sa e lehtë, sa e lirë,

Sa e bukur, sa e vlerë.

 

Festa e abetares 2017 bashke

Fëmijët i kënduan gjuhës së bukur shqipe dhe atdheut. Ishte një shfaqje patriotike plot dashuri për mësuesen, atdheun dhe abetaren që do t’i hedhë në udhën e dijes dhe leximit.. E pse jo, në botën e sotme pak patriotizëm është i vlefshëm për të ruajtur vlerat e besimet dhe dashurinë për Shqipërinë.